Mblidhet Komisioni Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore

  • Postuar më, 09/09/2019


Bazuar në urdhrin nr. 4 datë 04.09.2019 “Për thirrjen e mbledhjes së komisionit hetimor të Kuvendit ngritur me vendimin nr 84/2019 të Kuvendit ”Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” u mblodh sot Komisioni hetimor me rend dite: zhvillimin e seancës dëgjimore me Shkëlqesinë e tij z. Ilir Meta, President i Republikës së Shqipërisë, për t`u dëgjuar mbi objektin e hetimit.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Meta, në fjalën e tij përpara anëtarëve të Komisionit Hetimor, parashtroi argumentet e tij duke i kategorizuar në çështje të natyrës kushtetuese dhe aspekte të tjera të cilat ndikuar në nxjerrjen e dekretit nr. 11199, datë  10.06.2018 “Për shfuqizimin  e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018”Për  caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Në aspektin kushtetuese Presidenti i Republikës z. Meta, theksoi rolin e tij si garant i Kushtetutës, duke nënvizuar të drejtën e shtetasve për të zgjedhur dhe për të patur alternativa zgjedhje. Në vijim të këtij argumenti Presidenti iu referua vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të vitit 2015, vendim i cili sipas shpjegimeve të Presidenti të Republikës analizon të drejtën e shtetasve për të zgjedhur dhe alternativës së zgjedhjes. Në fokus të argumenteve të Presidenti ishte edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit si dhe disa vendime të Gjykatës Kushtetuese. 

Në vijim Presidenti u ndal edhe në aspekte të tjera që lidhen me sigurinë juridike, sigurinë kombëtare dhe në raportin paraprak të OSBE- OHDIR.

Pas argumenteve dhe parashtrimeve të Presidentit fjalën e morën anëtarët dhe Kryetari i  Komisionit Hetimor, të cilët drejtuan pyetje në lidhje me arsyet dhe rrethanat të cilat e çuan Presidentin e Republikës në nxjerrjen e dekretit nr. 11199, datë  10.06.2018 “Për shfuqizimin  e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018”Për  caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Gjithashtu deputetët parashtruan pyetje të lidhura me rrethanat që çuan në nxjerrjen e dekretit nr. 11211, datë 27.06.2019, “Për caktimin e datës 13 Tetor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe procesin e zhvilluar përpara nxjerrjes së tij.

Në përfundim të seancës dëgjimore Kryetari i Komisionit falënderoi Presidentin e Republikës për pjesëmarrjen dhe shpjegimet e dhëna përpara këtij Komisioni.