Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi tre projektligje

  • Postuar më, 10/09/2019

Në drejtimin e kryetares, znj. Mimi Kodheli, komisioni për Politikën e Jashtme miratoi sot tre projektligje. Për të folur rreth projektligjit ”Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Përpunimin e Farmakopesë Evropiane, Strasburg 22.VII.1964, tekst i ndryshuar në përputhje me dispozitat e protokollit të konventës (EST nr.134)"  e ftuar ishte znj.Mira Rakacolli, zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë, si edhe specialistë të tjerë të kësaj ministrie.

Znj. Rakacolli, në fjalën e saj theksoi rëndësinë dhe prioritetet që ka aderimi i Republikës së Shqipërisë në Konventën për Përpunimin e Farmakopesë Evropiane, në sigurimin e standarteve për kontrollin e cilësisë së barnave. Relatorja e këtij projektligji, znj. Eglantina Gjermeni shprehu bindjen se aderimi i Shqipërisë në Konventën për Përpunimin e Farmakopesë Evropiane, do të ndikojë pozitivisht në tregun farmaceutik në Republikën e Shqipërisë. Në përfundim të diskutimeve, anëtarët e komisionit miratuan projektligjin në fjalë.

Për projektligjin tjetër "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Katarit, për transportin detar", i ftuar në prezantimin e tij në komisionin parlamentar për Politikën e Jashtme ishte z. Artan Shkreli, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në fjalën e tij, z.Shkreli, u shpreh se:  “Kjo marrëveshje bazohet në konventën e Kombeve të Bashkuara për ligjin e detit si dhe në konventa të tjera ndërkombëtare, për sigurinë e transportit detar, lehtësimin e transportit detar ndërkombëtar, kushtet e jetës dhe të punës së detarëve, transportin e mallrave të rrezikshme dhe mbrojtjen e mjedisit detar". Relatori Andrea Marto dha dakordësinë e tij për këtë projektligj dhe komisioni vijoi me miratimin e tij. 

Për projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes, për mbrojtjen shoqërore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë" e pranishme ishte znj. Dajna Sorensen , zëvendësministre në ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.Znj Sorensen shprehu bindjen se kjo marrëveshje është një proces i koordinimit të skemave të mbrojtjes shoqërore midis dy vendeve. Relatori i projektligjit z.Ervin Bushati, duke theksuar rëndësinë që ka kjo marrëveshje për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kanada, dha mbështetjen e tij për projektligjin, i cili u miratua më pas nga komisioni.