Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi një projektligj
- Postuar më, 17/09/2019
17 shtator 2019
Në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në mbledhjen e sotme projektligjin “"Për një ndryshim në ligjin nr. 9695, datë 19.3.2007, “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”, të ndryshuar”.
E pranishme në komision për prezantimin e projektligjit ishte zëvendësministrja e Drejtësisë, znj. Fjoralba Caka. Znj. Caka njohu komisionin me arsyet e kërkesës për ndryshim në ligj. Dy ndërhyrjet në ligj, sipas shpjegimit të zëvendësministres, lidheshin me kriteret që duhet të plotësojë kandidati për kryetar të Komitetit të Birësimit dhe me dispozitat e hyrjes në fuqi.
“Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë është që kriteri kufizues që është në ligjin aktual, që kryetari duhet të ketë një diplomë në juridik, të zgjerohet. Kjo, duke përfshirë edhe mundësinë e kandidimit të atyre personave që kanë kryer studimet në shkenca humane, shkenca juridike dhe shkenca sociale. Arsyeja e kësaj ndërhyrje është dhënia e mundësisë për personat që kanë një fushë veprimtarie në birësime, procedurat e birësimit, psikologet sociale, që kanë qenë në gjykata dhe procedura të zgjidhjeve të martesës, qe njohin mirë anën psikologjike dhe marrëdhëniet ndërpersonale prind-fëmijë, e që mund të japin vlerë të shtuar për institucionin në raportin e birësimit”,- u shpreh zëvendësministrja Caka në seancën e shqyrtimit të projektligjit.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, si edhe relatimit të projektligjit nga znj. Vasilika Hysi, komisioni, në cilësinë e komisionit përgjegjës, e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin e sjellë nga Ministria e Drejtësisë.