Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik seancë dëgjimore me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë

  • Postuar më, 17/09/2019

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një seancë dëgjimore me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë. Anëtarët e komisionit ishin të interesuar mbi problematikat që lidhen me sektorin e librit në Shqipëri.

Në hapje të mbledhjes së radhës anëtarët e komisionit miratuan procesverbalin e datës 9 shtator 2019.

Të ftuar në seancën dëgjimore ishin Z. Petrit Ymeri dhe Z. Gëzim Tafa, përfaqësues të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Znj. Elida Dani, drejtore e Drejtorisë së Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator dhe Znj. Kozeta Angjeliu, drejtore e Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit të Kulturës pranë Ministrisë së Kulturës dhe Z. Nikolla Lera drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Në përgjigje të interesit të anëtarëve të komisionit, Z. Petrit Ymeri u shpreh: “problemet janë të mëdha në sektorin e arsimit dhe sistemin bibliotekar. Rrjeti i bibliotekave është shumë i varfër dhe i amortizuar. Rrjeti i librarive është shumë i dobët dhe libraritë pothuaj po mbyllet.”  

Z. Ymeri përmendi gjithashtu edhe problemet financiare me të cilat përballen botuesit duke u ndalur tek sistemi fiskal që sipas tij është i paqëndrueshëm. Ai shtoi se: vemë re se sistemi fiskal është i paqëndrueshëm dhe goditës ndaj librit me ndryshime dhe luhatje ndonjëherë të nxituara.”  

Pas diskutimeve, pyetjeve dhe përgjigjeve anëtarët e komisionit vendosën që të zhvillojnë një tjetër seancë dëgjimore mbi këtë situate.