Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 03/10/2019

Në drejtimin e Kryetarit z. Gramoz Ruçi, Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare. Seanca i nisi punimet me shqyrtimin e projektrezolutës “Për mbështetjen e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian” , e cila me pas u miratua me 108 vota pro, asnjë kunder, asnjë abstenim.


Seanca vijoi me shqyrtimin e dy projektligjeve të depozituara në Kuvend. Projektligjin “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban”. Për këto dy projektligje në emër të grupit parlamentar të PS, foli z. Arben Ahmetaj, i cili u shpreh se ”Ky është një investim për Tiranën sepse ditën që Tirana i ka të plota mushkëritë , atëhere çdo qytetar e ka jetën më të përmirësuar në favor të vetes, biznesit të tij dhe të familjes së tij”. Më pas projektligji “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban, u miratua me 87 vota pro 16 kundër dhe 10 abstenim.
Projektligji tjetër “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban” u miratua me 82 vota pro 15 kundër 10 abstenim.

Më tej seanca vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2018 për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE në sektorin ekonomik” Ne emer te grupit parlamentar të PS, foli znj. Evis Kushi, e cila theksoi se mbështetja e Gjermanisë për vendin tonë konfirmohet së fundmi edhe me vendimin e Bundestagut gjerman PRO hapjes së negociatave, vendim i cili nuk është dhuratë por bazohet në progresin e Shqipërisë në rrugën e reformave, e vecanërisht reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut. “Ky projekt pritet të sjellë përmirësime në tri fusha kryesore sic janë zhvillimi i kapaciteteve të grupeve ndërinstitucionale të punës, duke i pajisur me njohuritë e nevojshme për zhvillimin e negociatave;mbështetja për përgatitjen e dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit si  dhe përfshirja e shoqërisë civile në përgatitjet për bisedimet e anëtarësimit”  tha znj.Kushi në fjalën e saj.Ky projektligj u miratua me 107 vota pro asnjë kundër asnjë abstenim.

 Kuvendi mori sot në shqyrtim dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian- Shqipëri, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë më cilësinë e vëzhgueses, në punën e Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore dhe mënyrën e kësaj pjesëmarrje në kuadrin e rregullores së Këshillit (KE), nr. 168/2007” . Pas diskutimeve të ndryshme nga deputetët, në emër të grupit parlamentar znj. Vasilika Hysi,i ftoi ata ta miratonin marrëveshjen. Projektligji u miratua me 108 vota pro asnjë kundër asnjë abstenim.


Për projektligjin "Për një shtesë në ligjin nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar” në emër të grupit parlamentar të PS, znj. Ermonela Felaj tha se veteranët e luftës kudo, marrin ose gëzojnë trajtim të vecantë, sikurse respektohen nga bashkëatdhetarët e tyre.
“Nëse dikush për arsye që nuk ia vlen të ndalesh, paragjykon këtë iniciativë të qeverisë që edhe ne të kemi një ditë zyrtare të nderimit të veteranëve tanë, gabon dhe fort madje, se nuk kjo nuk është aspak një cështje e të shkruarit të historisë sot ose nga fitimtarët,por është shprehje e vetëdijes kombëtare, e identitetit tonë si shqiptarë. Unë jam për 20 korrikun si ditë e nderimit dhe respektimit të veteranëve tanë, si shumë kolegë të tjerë besoj” tha znj.Felaj. Projektligji u miratua me 79 vota pro 20 abstenim dhe 8 kundër.
Seanca I mbylli punimet rreth orës 15.00