Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për rininë”

  • Postuar më, 07/10/2019


7 tetor 2019

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, në cilësinë e komisionit përgjegjës shqyrtoi dhe miratoi sot në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për rininë”. E pranishme në komision për prezantimin e projektligjit ishte zëvendësministrja e Arsimit, znj. Lorena Haxhiu. Projektligjin e relatoi deputetja Vasilika Hysi, duke bërë sugjerimet e caktuara për t’iu përcjellë komisionit përgjegjës.

Znj. Haxhiu u shpreh se projektligji reflekton kërkesat e dala nga konsulta me grupet e interesit. Ajo sqaroi për komisionin se projektligji shërben si ligj kuadër, që për funksione bazike ka rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve dhe sigurimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë të financimit nga ana e shtetit për të rinjtë dhe të rejat. 

“Ky projektligj synon plotësimin e kuadrit ligjor dhe institucional për të rinjtë, mbrojtjen e të drejtave të të rinjve dhe garantimin e përputhshmërisë me rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare në këtë fushë, përcaktimin e institucioneve dhe kompetencave të institucioneve qendrore dhe vendore publike, si edhe organizatave që ushtrojnë veprimtari për dhe në fushën e rinisë, si edhe krijimin e kushteve të nevojshme për aktivizmin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e të rinjve për përmbushjen e potencialit të tyre në interes të shoqërisë”,- u shpreh zëvendësministrja Haxhiu. Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.