Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, takohet me rektorët e universiteteve: “Kuvendi po bashkëpunon dhe dëgjon njerëzit më të mençur të kombit”

  • Postuar më, 07/10/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u takua sot me rektorët e universiteteve të vendit për të bërë një bilanc të bashkëpunimit Kuvend-Universitete, në kuadrin e marrëveshjeve të nënshkruara një vit më parë, për të biseduar mbi disa nga nevojat në prag të vitit të ri akademik, mbi disa çështje të perspektivës së universiteteve, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor si edhe për programin e veprimtarive për 100 vjetorin e parlamentarizmit shqiptar.Kuvendi i Shqipërisë dhe 24 Universitete dhe institucione kërkimore, 12 publike dhe 12 jopublike, në tetor-nëntor të vitit 2018, nënshkruan Marrëveshjet e Bashkëpunimit.Këto marrëveshje kanë për qëllim promovimin e punës kërkimore-shkencore dhe të mendimit analitik në funksion të demokracisë parlamentare; rritjen e njohjes dhe kapaciteteve të studentëve mbi parlamentarizmin; përmirësimin e perceptimit publik dhe njohjes më të mirë të funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë; mbështetjen e institucioneve arsimore në përmbushjen e funksioneve të tyre në kuadër të zbatimit të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë.“Një vit pas nisjes së këtij bashkëpunimi institucional, kontributi i universiteteve, akademikëve dhe studjuesve në procesin e hartimit të ligjeve është rritur. Ky kontribut ka përmirësuar edhe cilësinë e akteve ligjore të miratuara në Kuvend. Kontributi i universiteteve, nëpërmjet bashkëpunimit me komisionet parlamentare, sidomos me Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, është rritur edhe në ushtrimin e kontrollit parlamentar. Janë organizuar seanca dëgjimore me përfaqësues të universiteteve e institucioneve kërkimore, rektorë, drejtues të asambleve të fakulteteve, të zgjedhur të këshillit studentor etj.Në kuadër të Marrëveshjeve të Bashkëpunimit për periudhën dhjetor 2018–shtator 2019, kryen praktika mësimore pranë Kuvendit 90 studentë, ndër të cilët 60 nga universitete publike dhe 30 studentë nga universitete jopublike.Disa nga detyrimet e shtetit ndaj universiteteve, si për shembull, rritja e financimeve për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor nuk janë plotësuar në nivelin e duhur për shkak të burimeve të kufizuara financiare. Por disa të tjera, si për shembull, vonesa në nxjerrjen e akteve nënligjore në mbështetje të ligjeve të miratuara nga Kuvendi, kërkojnë më shumë vëmendje e produktivitet të disa ministrive e institucioneve. Por pozitive është që Qeveria po tregon një ndjeshmëri shumë më të lartë në çështjet e arsimit të lartë, universiteteve, kërkimit shkencor dhe nevojave të studentëve., nënvizoi në fjalën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.  Për të kremtuar 100 vjetorin e parlamentit të parë shqiptar, Byroja e Kuvendit ka miratuar një program veprimtarish, për një pjesë të të cilave Kuvendi ka kërkuar nale edhe bashkëpunimin e universiteteve. Një ndër aktivitetet do të jetë akordimi i bursave “100 vjet Parlament shqiptar” disa studentëve më të mirë të universiteteve publike e private. Në këtë kontekst, Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi, u bëri thirrje universiteteve që një pjesë e fondeve që ju kanë menduar të programoni për këto qëllime, të përfshihen në këtë aktivitet të programit të Kuvendit. Rektorët falenderuan Kryetarin e Kuvensdit për ndjekjen me seriozitet institucional dhe individual të zbatimit të marrëveshjeve me universitetet. 

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata, nënvizoi se Universiteti po rrit bashkëpunimin me QSUT dhe po kontribon në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore e mjekësore, dhe ndërkohë po bashkëpunon me komisionet parlamentare për aspekte të ndryshme të ligjëbërjes në fushat përkatëse.

Prof. Dr. Et’hem Ruka, rektor i Kolegjit Universitar “Luarasi’, e vlerësoi hapjen e Kuvendit ndaj universiteteve dhe botës akademike si një novacion që ndodh për herë të parë; vuri në dukje se studentët  dhe pedagogët e “Luarasit” po përfitojnë  nga shfrytëzimi i burimeve dokumentare të Kuvendit dhe bëri sugjerime konkrete për mbështetjen më të madhe të kërkimit shkencor në vend.

Prof. Dr. Marenglen Spiro, rektor i KU “Marin Barleti”, kërkoi mbështeteje për kalimin drejt modelit të universitetit sipërmarrës, dhe zgjerimin e programeve të studimit në drejtësi, përtej modelit të Bolonjës. 

Prof. Dr. Mynyr Koni, rektor i Universitetit të Tiranës, vlerësoi mbështetjen nga Kuvendi për të kontribuar në hartimin e legjislacionit për thellimin e reformave, sidomos reformës në drejtësi. 

Prof. Dr. Andrea Maliqari, rektor i Universitetit Politeknik, kërkoi më shumë mbështetje për zhvillimin e degëve të studimit në fushën e teknologjisë.

Prof. Dr.Kujtim Çashku, rektor i Akademisë së Filmit “Marubi” vlerësoi bashkëunimin me Kuvendin në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut dhe kërkoi më shumë mbështetje ligjore për luftën kundër plagjiarizmit dhe piraterisë.

Akademik Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, kërkoi më shumë mbështetje për kërkimin shkencor në fushat e albanologjisë. 

Rektori i Akademisë së Arteve Kastriot Çaushi kërkoi më shumë mbështetje për krijimtarinë artistike në funksion të procesit akademik.

Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, të Shkodrës Prof. Dr. Adem Bekteshi, kërkoi më shumë mbështetje për mbijetesën dhe konsolidimin e degeve të mësuesisë. 

Rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilir Mandro, kërkoi më shumë përfshirje të Akademisë në procesin ligjbërës.

Rektorja e KU “Logos”, Prof. Dr. Nikoleta Mita,  kërkoi më shumë fleksibilitet dhe decentrealizim në hartimin e akteve rregullatore për universitetet dhe arsimin e lartë. 

Të gjithë rektorët ishin të një mendimi se ka ardhur koha që universitetet duhet të rifillojnë studimet e ciklit të tretë, të shkollës së doktoraturës. 

Në fund të takimit, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, pasi falenderoi rektorët për sugjerimet e tyre, nënvizoi se “Kuvendi po dëgjon dhe do të dëgjojë njerëzit më të mençur të kombit. Ky bashkëpunim do të realizohet përditë dhe në vijimësi. Kontributi i universiteteve dhe akademikëve është i mirëpritur si për procesin ligjbërës, ashtu edhe për kontrollin parlamentar dhe monitorimin e instituucioneve të pavarura. Unë do të ndjek me vëmëendje procesin e hartimit të buxhetit për vitin e ardhsmë dhe do të përpiqem që universitetet dhe kërkimi shkencor të trajtohen me parparësi”.