Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, falënderon z. Kadri Veseli, për standardet e larta të zgjedhjeve në Kosovë

  • Postuar më, 07/10/2019


Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli, në të cilën e përgëzon për zhvillimin me sukses dhe standarde të larta demokratike të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.


“I dashur Kadri,

Dëshiroj t'Ju falënderoj nga zemra për bashkëpunimin e shkëlqyer midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës dhe mbështetjen e fuqishme të bashkëpunimit midis qeverive dhe institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës. Jam i bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Dëshiroj gjithashtu t'Ju përgëzoj për zhvillimin e qetë dhe me standarde demokratike të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Në këto zgjedhje qytetarët e Kosovës votuan që Partia Demokratike e Kosovës të dalë në opozitë dhe unë shpreh bindjen se PDK do të vazhdojë t’i shërbejë kombit, shtetit dhe qytetarëve të Kosovës me përgjegjësinë e saj të lartë politike e kombëtare.

Unë vlerësoj modelin që ju po krijoni në Republikën e Kosovës për respektimin dhe pranimin e fituesit të zgjedhjeve. Nga ky model e nga këto standarde demokratike fiton Republika, qytetarët dhe e ardhmja e Kosovës.”,- shkruhet në letrën Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, drejtuar z. Kadri Veseli.