Seanca plenare zhvilloi një interpelancë dhe miratoi dy projektligje
- Postuar më, 09/10/2019

9 tetor 2019
Kuvendi, i mbledhur në seancë
plenare në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, zhvilloi sot një
interpelancë me ministren e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, si edhe
miratoi tre projektligje:“Për disa ndryshime në ligjin nr.10304, datë
15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”; “Për
një ndryshim në ligjin nr.9695, datë 19.3.2007, “Për procedurat e birësimit dhe
Komitetin Shqiptar të Birësimit”, të ndryshuar.
Interpelanca me ministren Denaj
ishte kërkuar nga deputeti i grupit “Demokrat” e njëherësh edhe Zëvendëskryetar
i Kuvendit, z. Muslim Murrizi. Në qendër të çështjeve të ngritura nga deputeti
Murrizi, për të cilat kërkoi përgjigje nga ministrja Denaj ishin: informacioni
mbi politikën fiskale te ndjekur në lidhje me aksionin kundra informalitetit,
duke ngritur pretendimin për goditje selektive ndaj bizneseve dhe favorizim për
mospagesa gjobe prej miliona eurosh për subjekte të veçanta; çështja e
investimeve të huaja në Shqipëri; politikat fiskale në tërësi; historiku i
gjobës së një subjekti të madh në sektorin e hidrokarbureve. Ministrja Denaj,
lidhur me objektin kryesor të interpelancës, u shpreh se që në muajin mars, Ministria
e Ekonomisë dhe Financave ka koordinuar një plan masash mbi bazë analize të
përbashkët të kryer nga administrata e përgjithshme e tatimeve dhe doganave, Inspektorati
i Punës si edhe institucionet e tjera shtetërore, që lidhen me inspektimet në biznes.
Znj. Denaj sqaroi se këto aksione, kryesisht janë ndërmarrë në administratë, e
më pas me veprimtari në terren, duke qenë ende në proces. Ajo, duke sqaruar
procedurën e operimit në zyrë dhe terren, si edhe mënyrën e kryerjes së
analizës, hodhi poshtë idenë e goditjeve selektive përgjatë aksionit
anti-informalitet. Sipas ministres në 39% të kontrollove u vërejtën
problematika dhe e konsideroi si situate të pakënaqshme në raport me
formalizimin. Ajo dha të dhënat e saj lidhur edhe me çështjet e tjera të
shtruara nga deputeti Murrizi.
Kuvendi, në përfundim të
interpelancës, mori në shqyrtim projektligjin
"Për disa ndryshime në ligjin nr. 10304, datë 15.7.2010, “Për
sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Në emër të grupit
parlamentar të Partisë Socialiste, z. Andrea Marto, u shpreh se: “Me anë të
këtij projektligji propozohet shfuqizimi i licencës “Shërbime ekspertize
dhe/ose profesionale lidhur me burimet minerare, me kodin IV.4.A”. Me
shfuqizimin e kësaj licence, ushtrimi i veprimtarisë së shërbimeve të
ekspertizës dhe/ose profesionale lidhur me burimet minerare do të jetë i lirë.”
Z. Marto u shpreh se projektligji do të sjellë reduktim të barrierave
administrative; liberalizim të tregut dhe përmirësim të mëtejshëm të klimës së
biznesit. Në përfundim të diskutimeve ky projektligj u miratua me 79 vota pro,
20 kundër dhe 3 abstenim.
Më tej Kuvendi vijoi punimet me shqyrtimin
e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.9695, datë 19.3.2007, “Për
procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”, të ndryshuar. Në
emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, znj. Vasilika Hysi e përgëzoi
ministren Gjonaj për ndryshimin e përkohshëm në ligj, dhe u shpreh se që prej
vitit 2015 i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë një reformë e thellë në fushën e birësimeve
dhe kujdestarisë pasi Kodi i Familjes është tanimë i vjetëruar, edhe pse
Shqipëria ka miratuar konventa ndërkombëtare dhe ka miratuar një ligj të ri për
mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Në përfundim të diskutimeve, Kuvendi e
miratoi këtë projektligj me 80 vota pro, 20 kundër dhe 5 abstenim.
Projektligji tjetër i parashikuar
në rendin e ditës, "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9942, datë
26.6.2008, “Për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria
e jodit në organizmin e njeriut”, të ndryshuar”, u shty për shqyrtim në seancat
e tjera plenare.