Delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga znj. Mimi Kodheli, merr pjesë në punimet e sesionit vjetor në Londër
- Postuar më, 14/10/2019
14 tetor 2019
Delegacioni i Përhershëm Parlamentar në Asamblenë
Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga znj. Mimi Kodheli, mori pjesë në punimet
vjetore të kësaj asambleje, që këtë vit u mbajtën në Londër. Nga data 11 - 14
tetor 2019, delegacioni shqiptar pjesë e të cilit janë deputetët z. Myslim
Murrizi, z. Nimet Musaj dhe z. Xhemal Qefalia, sipas komisioneve përkatëse
diskutuan mbi rëndësinë e kësaj aleance, duke qënë se ky është viti i 70-të i
krijimit të saj. Komisionet morën në shqyrtim raportet e përgatitura nga
raporterët dhe u shprehën në favor të miratimit të tyre.
Kryefjalë e diskutimeve ishte situata aktuale në fushën e
sigurisë si dhe zhvillimet e fundit në këtë drejtim. Afganistani, Rusia dhe së
fundmi edhe Siria ishin temat kryesorë të diskutimeve mes parlamentarëve.
Po ashtu znj. Kodheli mori pjesë në panelin e veccantë
rezervuar zonjave deputete, panel i drejtuar nga znj. Madeleine Moon,
Presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në të cilin u diskutua për rolin
e grave brenda Asamblesë.
Seancës plenare ju drejtua me një fjalë edhe Sekretari i Përgjithshëm
i NATO-s z. Jens Stoltenberg dhe Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen në Britaninë
e Madhe, z. Ben Wallace.
Gjithashtu delegacioni shqiptar ishte i pranishëm në pritjen
e organizuar nga grupi i miqësisë Britani e Madhe - Shqipëri në Parlamentin Britanik.