Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi flet në takimin vjetor të komisioneve parlamentare të mbrojtjes dhe sigurisë të Evropës Juglindore. Ruçi: “Pa Ballkanin Perëndimor, BE është më i pasigurt”

  • Postuar më, 05/11/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, përshëndeti sot takimin vjetor të komisioneve parlamentare të mbrojtjes dhe sigurisë të Evropës Juglindore, i cili zhvillohet në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, në datat 5-6 nëntor.

“Është domethënëse që për promovimin e Politikës së Përbashkët Evropiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe lidhjen e saj me Konceptin Strategjik të NATO-s të diskutojmë këtu në Tiranë. Për një arsye të thjeshtë: Politika e jashtme dhe e sigurisë e Shqipërisë përputhet 100 përqind me atë të Bashkimit Europian.

Qeverisja e sigurisë është një punë jo fort e lehtë në Europën Juglindore, për shkak të mbivendosjes së çështjeve të trashëguara nga historia, ekonomive të dobta, sistemeve të pafuqishme të mirëqënies dhe shfaqjeve të etnocentrizmit dhe nacionalizmit.

Kërcënimet transnacionale, terrorizmi, armët e shkatërrimit në masë, trafikimi, krimi i organizuar dhe rreziqe të tjera globale bashkëjetojnë në rajonin tonë me demonët e trashëguar apo ata që rikrijojmë periodikisht ne vetë.

Për arsye që i dimë të gjithë, rajoni ynë duke qenë njësoj i rrezikuar, ka më pak imunitet mbrojtës nga rreziku kibernetik dhe rreziqet e tjera të avancimeve të vrullshme teknologjike të kohës sonë. 

Kapacitetet më të kufizuara vetëmbrojtëse kushtëzohen nga standartet më të ulta teknologjike dhe informatike të vendeve të rajonit tonë.

Por do të ishte gjysma e të keqes nëse aftësitë tona më të pakta mbrojtëse ndaj rreziqeve kibernetike të lidheshin vetëm me teknologjinë dhe potencialet e kufizuara financiare.

E them këtë sepse po konstatojmë që pjesa tjetër e kontinentit dhe qytetërimi perëndimor ka krijuar ose ushqen disa stereotipe të rrezikshme ndaj Europës Juglindore, sidomos ndaj Ballkanin Perëndimor.

Sikurse theksova para pak ditësh në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, një pjesë e Europës Juglindore, të cilën prej vitesh e quajmë Ballkani Perëndimor, po merr një tingëllim negativ.

Ky negativizëm tenton të shndërrohet në qëndrime diskriminuese ndaj popujve që kanë një kontribut të spikatur për qytetërimin europian dhe që rrethanat historike i lanë prapa pjesës tjetër të kontinentit.

Ballkani Perëndimor nuk është një rajon fqinj i Europës, por pjesë integrale e saj. 

Pjesa tjetër e kontinentit, por sidomos ato vende të Bashkimit Europian, prej nga burojnë qëndrimet skeptike e përjashtuese, duhet të kuptojnë se tendenca e pandryshueshme e historisë është afrimi i kufijvë politikë dhe kulturorë të Europës me kufijtë natyrorë të saj. 

Përkundër kësaj tendence nuk ka nevojë të shpikim projekte artificiale dhe as t’i joshim vendet tona, aspiruese për familjen europiane, me të ashtuquajturat përfitime prej modernizimit të procesit të imtegrimit.

Sepse në shtëpinë e përbashkët që quhet Bashkimi Europian duhet të ketë vend për të gjithë  europianët. 

Me Ballkanin Perëndimor jashtë saj, Europa dhe vetë Bashkimi Europian janë më të pasigurt. 

Nuk duhet të kemi dy standarte për sigurinë. Përkundrazi, përspektiva për sigurinë e  Bashkimit Europian, duhet të jetë e njëjtë me konceptin e sigurisë  për vendet jashtë Bashkimit Europian.

Të gjitha pjesët e kontinentit janë si enët komunikuese ku siguria, ekonomia dhe demokracia zhvillohen të ndërlidhura mes tyre. 

Prandaj politikat e sigurisë dhe të  mbrojtjes në dhe për rajonin e Europës Juglindore lidhen ngushtë më vizionin për Europën, Bashkimin Europian dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor,” theksoi në fjalën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.


Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi në takimin vjetor të përfaqësuesve të komisioneve të Mbrojtjes dhe Sigurisë nga parlamentet e Evropës Juglindore


Të  nderuar miq,

Mirë se erdhët në Shqipëri, mirë se erdhët në Tiranë, mirë se erdhët në Kuvendin e Shqipërisë.

Ju falenderoj të gjithëve për organizimin e këtij takimi vjetor në Kuvendin e Shqipërisë.

Është domethënëse që për promovimin e Politikës së Përbashkët Evropiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe lidhjen e saj me Konceptin Strategjik të NATO-s të diskutojmë këtu në Tiranë.

Për një arsye të thjeshtë: Politika e jashtme dhe e sigurisë e Shqipërisë përputhet 100 përqind me atë të Bashkimit Europian.

Diskutimi mbi perspektivën parlamentare të problemeve dhe mekanizmave  mbikqyrës në fushën e sigurisë është një sfidë më e madhe në rajonin tonë, ku ndërthurja e problemeve të sigurisë, demokracisë dhe zhvillimit është më e komplikuar se në zonat e tjera të kontinentit. 

Qeverisja e sigurisë është një punë jo fort e lehtë në Europën Juglindore, për shkak të mbivendosjes së çështjeve të trashëguara nga historia, ekonomive të dobta, sistemeve të pafuqishme të mirëqënies dhe shfaqjet e etnocentrizmit dhe nacionalizmit.

Kërcënimet transnacionale, terrorizmi, armët e shkatërrimit në masë, trafikimi, krimi i organizuar dhe rreziqe të tjera globale  bashkëjetojnë në rajonin tonë me demonët e trashëguar apo ata që rikrijojmë periodikisht ne vetë.

Për arsye që i dimë të gjithë, rajoni ynë duke qenë njësoj i rrezikuar, ka më pak imunitet mbrojtës nga rreziku kibernetik dhe rreziqet e tjera të avancimeve të vrullshme teknologjike të kohës. 

Kapacitetet më të kufizuara vetëmbrojtëse kushtëzohen nga standartet më të ulta teknologjike dhe informatike të vendeve të rajonit tonë.

Por do të ishte gjysma e të keqes nëse aftësitë tona më të pakta mbrojtëse ndaj rreziqeve kibernetike të lidheshin vetëm me teknologjinë dhe potencialet e kufizuara financiare.

E them këtë sepse po konstatojmë që pjesa tjetër e kontinentit dhe qytetërimi perëndimor ka krijuar ose ushqen disa stereotipe të rrezikshme ndaj Europës Juglindore, sidomos ndaj Ballkanin Perëndimor. Përballimi i tyre është një sfidë më vete për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Sikurse theksova para pak ditësh në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Këshillit të Europës, perceptimi për një pjesë e Europës Juglindore, të cilën e quajmë Ballkani Perëndimor, po merr një tingëllim negativ.

Ky negativizëm tenton të shndërrohet në qëndrime diskriminuese ndaj popujve që kanë një kontribut të spikatur për qytetërimin europian dhe që rrethanat historike i lanë prapa pjesës tjetër të kontinentit.

Ballkani Perëndimor nuk është një rajon fqinj i Europës, por pjesë integrale e saj. 

Pjesa tjetër e kontinentit, por sidomos ato vende të Bashkimit Europian, prej nga burojnë qëndrimet skeptike e përjashtuese, duhet të kuptojnë se tendenca e pandryshueshme e historisë është afrimi i kufijvë politikë dhe kulturorë të Europës me kufijtë natyrorë të saj. 

Përkundër kësaj tendence nuk ka nevojë të shpikin projekte artificiale dhe as t’i joshin vendet tona, aspiruese për familjen europiane, me të ashtuquajturat përfitime prej modernizimit të procesit të integrimit.

Duhet të ndërgjegjësohen se vendi i Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian.

Sepse në shtëpinë e përbashkët që quhet Bashkimi Europian duhet të ketë vend për të gjithë  europianët. 

Me Ballkanin Perëndimor jashtë saj, Europa dhe vetë Bashkimi Europian janë më të pasigurt. 

Nuk duhet të kemi dy standarte për sigurinë. Përkundrazi, përspektiva për sigurinë e  Bashkimit Europian, duhet të jetë e njëjtë me konceptin e sigurisë  për vendet jashtë Bashkimit Europian.

Të gjitha pjesët e kontinentit janë si enët komunikuese ku siguria, ekonomia dhe demokracia zhvillohen të ndërlidhura mes tyre. 

Prandaj politikat e sigurisë dhe të  mbrojtjes, në dhe për rajonin e Europës Juglindore, lidhen ngushtë më vizionin për Europën, Bashkimin Europian dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor.


Të nderuar miq,

Fakti që në këtë takim marrin pjesë parlamentarë, përfaqësues të qeverive, të botës akademike dhe të shoqërisë civile, është një arsye më shumë që prej diskutimeve të dalin përfundime  e rekomandime të qarta e realiste për ta bërë rajonin dhe kontinentin tonë më të begatë dhe më të sigurt. 

Ju faleminderit dhe punë të mbarë këtij takimi.