Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi projektligjin “Për faljen e gjobave të vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndaj operatorëve të biznesit ushqimor”

  • Postuar më, 07/11/2019

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës, gjatë mbledhjes së djeshme, në drejtim të kryetarit, z. Arben Ahmetaj, mori në shqyrtim projektligjin “Për faljen e gjobave të vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndaj operatorëve të biznesit ushqimor”

Ky projektligj është propozuar në Kuvend si nismë e deputetit, z. Ilir Beqja.

Z. Beqja në prezantimin e tij shpjegoj se qëllimi këtij projektligji është lehtësimi i barrës së operatorëve ekonomikë e që kanë aktivitet kryesor prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen me shumicë të ushqimeve si dhe shitjen me shumicë të prodhimeve shtazore, të cilët janë gjobitur nga AKU-ja pasi nuk kanë qenë të licencuar për ushtrimin e aktivitetit në momentin e kryerjes së kontrollit, por që aktualisht janë pajisur me licencën përkatëse, sipas legjislacionit të licencimit.

Kjo nismë vjen si rezultat i konstatimeve të përfituara prej disa ankesave dhe gjatë takimeve të ndryshme në kuadër të ushtrimit të funksionit të deputetit me operatorë të ndryshëm ekonomikë të biznesit ushqimor, nga të cilët është vënë në dukje se nuk kanë pasur dijeni për detyrimin e paisjes me këto licenca të vecanta.

Gjatë fjalës së relatorit dhe diskutimeve në komision u evidentuan disa problematika lidhur me kategorinë e subjekteve përfitues ku bëhet e qartë se operatorët ekonomikë, që “prek” apo që pretendohet të përfitojnë nga ky projektligj, nuk janë vetëm operatorët që zhvillojnë biznesin në një stabiliment të paregjistruar të pa licencuar lidhur me veprimtaritë e prodhimit primar, të përpunimit, magazinimit, ruajtjes, transportit, tregtimit me shumicë apo pakicë.

Arsyeja e vetme e dhënë në relacionin shoqërues të projektligjit për faljen e gjobave lidhet me mungesën e informacionit nga operatorët ekonomik të ushqimit për detyrimin e tyre për t’u pajisur me këto licenca të veçanta.

Pas diskutimeve, për shkak të problematikave të ngritura, anëtarët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat rrëzuan projektligjin e mësipërm.