Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi mori pjesë në takimin e nëntë të Kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Europës Juglindore, që u mbajt në Parlamentin e Hungarisë

  • Postuar më, 07/11/2019

Më datë 4 Nëntor 2019, u mbajt në Parlamentin e Hungarisë takimi i nëntë i Kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Europës Juglindore. Në takim morën pjesë Kryetarët e Parlamenteve të Hungarisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje- Hercegovinës, Hungarisë, të Çekisë, Polonisë dhe Sllovakisë. Kuvendi i Shqipërisë u përfaqësua nga zëvendëskryetarja e Kuvendit znj. Vasilika Hysi e cila u shoqërohej nga z. Vasil Sterjovski deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe z. Arian Spasse Ambasador i Shqipërisë në Hungari.

Zëvëndëskryetarja e Kuvendit, znj. Hysi përshëndeti në këtë takim duke theksuar se reforma të thella si ajo e drejtësisë, reforma në administratën publike, zhvillimet pozitive në fushën e parandalimit dhe luftimin e korrupsionit, respektimi më i mirë i të drejtave të njeriut, ndonjëherë reforma të dhimbshme, janë ndërmarrë për të mirën e vendit dhe në përmbushje të kritereve të hapjes së negociatave me EU. Qasja e Shqipërisë në rrugen europiane është e një rëndësi e veçantë për Shqipërinë dhe për Ballkanin. Kuvendi i Shqipërisë mbështeti deklaratën e miratuar në fund të takimit dhe vlerësoi ndihmën dhe bashkëpunimin e vendeve fqinje që janë anëtare të Bashkimit Evropian drejt rrugës së përbashkët Europiane. Znj. Hysi ritheksoi në fjalën e saj se rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në familjen evropiane është dhe do të vazhdojë të jetë përparësi. Megjithë mungesën e vendimit për hapjen e negociatave, ne jemi të vendosur të vijojmë me reformat e nevojshme për të mirën e shtetasve tanë. Integrimi në EU është rruga e zgjedhur kohë më parë dhe e vetme.