Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u drejtohet kryeparlamentarëve të BE-së për negociatat: Vazhdoni të na mbështesni se e meritojmë!

  • Postuar më, 10/11/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u është drejtuar me letra kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të BE-së, në lidhje me procesin e hapjes së negociatave.

Kryetari Ruçi falenderon në radhë të parë Presidetin e Bundestagut, z. Volfgang Schäuble, për mbështetjen e fuqishme të Bundestagut, Kancelares Merkel dhe qeverisë gjermane për hapjen e negociatave me Shqipërinë. “Mbështetjen Tuaj  ne e konstatum qysh gjatë vizitës sonë në Bundestag, në muajin shkurt të këtij viti. Vota Pro e Bundestagut në 27 shtator u përjetua nga populli shqiptar si një votë e të gjithë Bashimit Europian dhe u prit me një entusiazëm të pashoq.”, shkruan Kryetari i Kuvendit në letrën e tij drejtuar Presidentit të Bundestagut. 

Kryetari i Kuvendit ka falenderuar në mënyrë të vecantë kryeparlamentarët me të cilët ka zhvilluar takime dypalëshe dhe ka kërkuar lobime për hapjen e  negociatave në tetor. Takime të tilla, z. Ruçi, ka pasur me Kryetarin e Parlamentit të Italisë, Austrisë, Suedisë, Republikës Çeke, Kroacisë, Sllovenisë, Maltës, Greqisë, Suedisë, Hungarisë etj.  

Edhe kryeparlamentarëve të vendeve të tjera anëtare, Kryetari i Kuvendit, Ruçi u ka kërkuar që mbështetja e tyre të vazhdojë dhe të rritet presioni në Këshillin Europian për hapjen e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur.

Kryetari i Kuvendit u është drejtuar edhe kryeparlamentarëve të Francës, Holandës dhe Danimarkës (këtë të fundit edhe e ka takuar para pak ditësh në Strasbourg), të cilëve u shpreh keqardhjen për mungesën e mbështetjes për çeljen nga Bashkimi Europian të negociatave të pranimit me Shqipërinë, në mbledhjen e Këshillit Europian të 17-18 tetorit dhe u kërkon të vlerësojnë në mënyrë realiste dhe largpamëse çështjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë.

“Kuvendi, qeveria, institucionet dhe qytetarët shqiptarë kanë bërë më të mirën për të përmbushur me sukses rekomandimet e Komisionit dhe të Këshillit Europian për pesë prioritetet kyçe të reformave integruese: reformës kurajoze e unike në drejtësi, luftën kundër  korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës së administratës  publike dhe garantimit e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pronësisë. Vendimi i Këshillit Europian, edhe pse i pamerituar dhe që nuk i përgjigjet të vërtetës për rezultatet e Shqipërisë,  nuk na dekurajoi, por, përkundrazi, na nxit për të ecur më shpejt e me performancë më të mirë drejt përmbushjes së kritereve për çeljen sa më shpejt të negociatave.  Ne e kemi të qartë se reformat integruese nuk janë qëllim në vetvete, por i shërbejnë zhvillimit të Shqipërisë, mirëqenies së qytetarëve si edhe stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit të rajon. Thellimi i reformave dhe konsolidimi i demokracisë në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit i shërben gjithashtu shndërrimit të Ballkanit Perëndimor në një vlerë të shtuar të familjes europiane.”, shkruan në letrat e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Kryetari i Kuvendit ka ftuar kryeparlamentarët e Francës, Holandës dhe Danimarkës për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në mënyrë që të verifikojnë nga afër arritjet e Shqipërisë në plotësimin e standarteve të integrimit.