Kuvendi zgjedh dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese

  • Postuar më, 11/11/2019

Në drejtimin e Kryetarit, Z. Gramoz Ruçi, Kuvendi u mblodh në seancë plenare dhe zgjodhi dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. 

Në hapje të seancës, deputetët miratuan procesverablin e seancës plenare të datës 4.11.2019. 

Kryetari i Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi njoftoi deputetët për projektligjet e depozituara në Kuvend.

Në lidhje me projektvendimin “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, Kryetari i Kuvendit përpara votimit bëri sqarimin e mëposhtëm: 

“Seancën e datës 14 nëntor po e zhvillojmë sot, më 11 nëntor, për shkak të plotësimit të afatit 30 ditor që detyron Kuvendin të shprehet mbi kandidaturat që KED na ka dërguar  për shqyrtim. 

Deputët janë vënë në dijeni mbi letrën e Presidentit të Republikës, i cili njofton se ngrin ushtrimin e kopetencave të tij derisa të shprehet Kuvendi. 

Pas kësaj letre i jam drejtuar KED-së për informacion të mëtejshëm. KED në përgjigjen e vet argumenton se, duke mos u shprehur Presidenti brenda 30 ditëve, siç parashikon Kushtetuta, kandidatja e parë zgjidhet automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese. 

Në vazhdim iu drejtova Këshillit për Legjislacionin, i cili në mbledhjen e vet konkludoi se procedura që po zbatojmë për zgjedhjen e dy kandidaturave anëtarit të Gjykatës Kushtetuese është në përputhje me Kushtetutën.

Prandaj  po vazhdojmë me votimin për zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar raportin dhe renditjen e kandidatëve, sipas vendimit të KED-së.

Z. Besnik Muçi është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese me dekretin e Presidentit të Republikës.

Kandidatja e parë në listë, Znj. Arta Vorpsi, pas mos-shprehjes nga  nga Presidenti i Republikës brenda afatit kushtetues 30 ditor, zgjidhet automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese

Kandidatet që mbeten në listë tre kandidatët janë Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fjona Papajorgji.”

Seanca plenare, sipas kërkesës së shtatë deputetëve, me votim të fshehtë, zgjodhi  anëtare të Gjykatës Kushtetuese Znj. Elsa Toska, me 105 vota pro, 2 kundër dhe 9 abstenim  dhe Znj. Fjona Papajorgji, me 105 vota pro, 3 kundër dhe 8 abstenim. 

Më pas seanca votoi kandidaturën e Znj. Pranvera Strakosha, në funksionin e Komisionerit për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, me 95 vota pro, 4 kundër dhe 9 abstenim.  

Në seancë u njoftua gjithashtu miratimi i kalendarit tre javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 25 nëntor – 13 dhjetor 2019 si edhe kalendarit të veçantë të shqyrtimit të projektligjit të buxhetit dhe të projektligjeve financiare që kanë lidhje me të. 

Kuvendi miratoi me 110 vota pro, asnjë kundër dhe 1 abstenim projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar për Eksplorimin Shkencor në Detin Mesdhe”, kurse projektligji “Për faljen e gjobave të vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndaj operatorëve të biznesit ushqimor” nuk u miratua.  

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për Luftën Kundër Falsifikimit të Monedhës” u miratua me 100 vota pro.  

Seanca plenare u mbyll në orën 14.20