Komisioni për Politikën e Jashtme seancë dëgjimore me z. Kastriot Robo, kandidat për Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë

  • Postuar më, 12/11/2019

Komisioni për Politikën e Jashtme nën drejtimin e Kryetares znj. Mimi Kodheli zhvilloi sot një seancë dëgjimore për emërimin në postin e Kreut të Misionit Diplomatik të z. Kastriot Robo, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë. Zoti Robo vjen si një propozim i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme për një prezantim të tijin përpara Komisionit për Politikën e Jashtme. 

Gjatë fjalës së tij ai bëri një prezantim të marrëdhënieve dypalëshe, duke u ndalur sidomos në bashkëpunimin në fushën ekonomike, ushtarake, energjisë, infrastrukturës dhe atë të kulturës midis Shqipërisë dhe Turqisë duke filluar nga kohët më të hershme e deri në ditët tona. Ai gjithashtu paraqiti disa objektiva të mandatit të tij si dhe hodhi disa piketa se ku do të fokusohet gjatë punës.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Armand Skapi shprehu besimin dhe mbështetjen e gjithë institucionit për kandidaturën e z. Robo, si dhe ftoi deputetët për një rekomandim pozitiv në Raportin që Komisioni për Politikën e Jashtme i paraqet Presidentit të Republikës. 

Deputetët gjatë diskutimit në komision shprehën vlerësim e mbështetje për kandidaturën e zotit Robo.