Mblidhet Komisioni për Ekonominë dhe Financat

  • Postuar më, 13/11/2019

Komisioni për Ekonominë dhe Financat u mblodh sot për të diskutuar në parim projektligjin ““Për Buxhetin e vitit 2020” si edhe projektligjet e paketës fiskale. 

Të ftuar për të prezantuar buxhetin ishin znj. Anila Denaj,ministre në ministrinë e Financave, Drejtoresha e Përgjithshme e Buxhetit, znj. Mimoza Dhëmbi, Drejtori i Politikave Makro-Ekonomike, z. Endrit Lami, Drejtori i Përgjithshëm i Politikave të Makro-Ekonomisë, Çështjeve Fiskale dhe Punësimit, z. Nikolla Lera.  

Znj. Denaj gjatë prezantimit të projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2020” tha: “Në këtë prezantim të buxhetit për vitin e ardhshëm 2020, më lejoni të jap disa informacione të përgjithshme. Ky projektbuxhet për vitin 2020 dhe projektbuxheti afatmesëm vijnë në mbështetje të reformave qeveritare për rritjen cilësore dhe të qëndrueshme të ekonomisë, punësimit, shërbimit ndaj qytetarëve dhe procesit të aderimit në familjen europiane. Përmes projektbuxhetit 2020 Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet e angazhuar drejt një kuadri makro-ekonomik të kujdesshëm dhe realist për një konsolidim fiskal të vazhduar, financa publike të forta, stabilitet financiar  dhe qëndrueshmëri të pozicionit të jashtëm të Shqipërisë. 

Ky projektbuxhet synon relaizimin e një rritjeje ekonomike në nivelin e 4.1% në vitin 2020, një rritje e drejtuar kryesisht nga kërkesa e brendshme si konsumi ashtu edhe investimet. Kjo rritje e parashikuar në vitin 2020 do të përkthehet në më shumë punësim, krijimin e rreth 35 mijë vendeve të reja të punës, ulje e mëtejshme e shkallës së papunësisë në nivelin e 11%, sigurimin e një niveli të lartë të investimeve publike, ruajtjen e balancës primare pozitive.”

Relatori i këtij projektligji, z. Arben Ahmetaj u shpreh se: “projektligji për buxhetin e vitit 2020 është propozuar nga Këshilli i Ministrave mbështetur në nenet 158 dhe 159 të Kushtetutës. Shqyrtimi i këtij projektligji bëhet sipas procedurave të përcaktuara në nenet 78 dhe 84 të Rregullores së Kuvendit. Që prej vitit 2015 projektbuxheti vjetor paraqitet si pjesë e programit buxhetor afat-mesëm duke përcaktuar dhe harmonizuar politikat, prioritetet dhe treguesit për vitin e ardhshëm me atë të periudhës afatmesme të periudhës 2020-2022. Këto mbështeten në strategjinë e manaxhmit të financave publike, kuadri makro-ekonomik, programi i qeverisë, politikat dhe prioritetet e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. 

Projekbuxheti ka në themel objektivat e kuadrit makro-ekonomik e fiskal afat mesëm për tri vitet në vijim, ruajtjen dhe kosolidimin e mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik të vendit, krijimin e klimës për një rritje të lartë, të qëndrueshme ekonomike, konvergimin sa më shpejt drejt nivelit mesatar të mirëqenies së BE-së. Kuadri makro-ekonomik e fiskal afatmesëm përcakton edhe drejtimet kryesore për realizimin e këtyre objektivave.”  

Në vazhdim Ministrja e Ekonomisë dhe Financave bëri prezantimin e projektligjeve të paketës fiskale ku u shpreh se: Në projektligjin e paketës fiskale ne kemi sjellë nevojën për ndryshime në legjislacionin fiscal I cili prek në thelb disa element dhe kryesisht ligjin nr 9975, ligjin nr 922014. Këto ndryshime në këto projektligje konsiderohet të sjelli8n këto element . 

Për projektligjin për tatimin mbi të ardhurat ( të ndryshuar) synon;

Së pari trajtimin tatimor për tatimin e të ardhurave nga punësimi në të njëjtën mënyrë për gjithë individët të cilët kanë të ardhura në paga në më shumë se një burim 

Së dyti  incentivimin e sektorit të industrisë automotive duke ulur normën e tatim fitimit në 5 %, për personat juridikë që ushtrojnë aktivitet ekonomik në këtë industry

Së treti Promovimin e sportit, me qëllim rritjen e impaktit pozitiv të tij në shoqëri. Për këtë arsye propozohet incentiva fiskale për përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale të shpërblimeve qe u jepen sportistëve, apo ekipeve sportive pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni përkatës. Gjithashtu, për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milion lekë, shumat e sponsorizuara në fushën e sportit, të njohura si shpenzime të zbritshme, për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin, janë të zbritshme sa trefishi i shumës së sponsorizuar

Së katërti: Mbajtja e humbjeve për një periudhë 5-vjecare për tatimpaguesit, që investojnë në projekte biznesi me vlerë mbi 1 miliard lekë

Dhe mbartjen e humbjeve për një periudhë 5-vjecare për tatimpaguesit, që investojnë në projekte biznesi me vlerë mbi 1 miliard lekë

Për sai përket projektligjit ‘ për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr 9975 ‘Për taksat kombëtare” synon: 

 Saktësimin e vlerës së mjetit për efekt të kritereve që duhet të përmbushi një automjet për tu konsideruar automjet luksi, duke e amortizuar vlerën e automjetit me 10% me vlerë të mbetur;

 Ndryshime në penalitet me qëllim unifikimin e gjobës për pagesë të vonuar për taksën vjetore të mjeteve të përdorura;

 Rritje të komisionit që përfiton DPSHTRR, prej 5 (pesë) përqind për taksën e regjistrimit fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze”;

Shtimin e kategorisë së personave me aftësi të kufizuar për tu përjashtuar nga taksa vjetore të mjeteve të përdorura

Përjashtimin nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura,automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.

Relatori I projektligjeve të paketës fiskale, Z. Anasas Angjeli theksoi se: “ajo që kuptohet nga paketa fiskale që ka sjellë Qeveria është se Qeveria ka një qasje për këtë vit , që të mos sjellë shumë politika të reja fiskale këtë vit , port ë vazhdojë konsolidimin e politikave fiskale që janë ndërmarrë në vitin 2018, një pjesë edhe ligjore në gjashtëmujorin e dytë që do të zbatohet këtë vit, përmes asaj që e ka quajtur një aksion të një administrimi më të mirë fiscal dhe prej së cilës do të marrim rezultate më të larta”

Komisioni i Ekonomise do vijoje mbledhjen dhe neser, ku ministrja Demaj do u pergjigjet pyetjeve te anetareve te komisionit.