Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 05/12/2019

Në drejtimin e Kryetarit, z.Gramoz Ruçi, Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare.

Në nisje të seancës z.Ruci ftoi deputetët të mbajnë një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit. 

Më tej senaca vijoi me shqyrtimin në parim të buxhetit për vitin 2020. 


Në fjalën e saj znj. Anila Denaj ministre e Ekonomisë dhe Financave tha se këtë vit ndryshe nga tradita e mëparshme qeveria shqiptare nuk vjen me një paketë tipike fiskale por me një paketë ndryshimesh në ligjet fiskale , me masa fiskale në funksion të mirëadministrimit tatimor dhe nxitjes së disa sektorëve.Ndër  propozimet kryesore   në këtë paketë ndryshimesh, znj. Denaj renditi:

Për  projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”  znj Denaj tha se: "propozohen ndryshime të cilat synojnë harmonizimin e dispozitave përkatëse të ligjit , harmonizimin dhe unifikimin e kundravajtjeve administrative që lidhen me çështjet e faturimit duke synuar përshkallëzimin e gjobave sipas përgjegjësisë tatimore , kompensimin e detyrimeve tatimore , lidhjen e marrëveshjeve për detyrimet , zgjerimin e objektit për lidhjen e marrëveshjes së pagesës me këste për detyrimet e tatimpaguesve edhe për detyrimet e vetdeklaruara për tvsh si dhe për sigurimet shoqërore në raste specifike për institucionet buxhetore, ndryshimi i deklaratës së tatimpaguesit dhe njoftimi i tatimpaguesit para kontrollit".

Ky projektligj u miratua në parim me 93 vota pro dhe 13 kundër. 

Projektligji tjetwr  “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”,  propozon incentivimin e sektorit të industrisë automotive duke caktuar normë tatim fitimi 5% për personat juridikë që ushtrojnë veprimtari ekonomike në këtë industri.Ne fjalen e saj znj Denaj tha se: "Politika fiskale këtë vit ka synuar gjithashtu promovimin e sportit me qëllim rritjen e impaktit pozitiv të tij në shoqëri. Një propozim tjetër që synon tërheqjen dhe mbajtjen e investitorëve të huaj lidhet edhe me rishikimin në rritje të afatit të mbartjes së humbjeve nga ana fiskale. Pjesë e kësaj pakete është edhe trajtimi tatimor i tatimit mbi pagën për të gjithë ata individë të cilët kanë më shumë se një pagë .Nuk kemi të bëjmë me vendosjen e një tatimit të ri por ndryshimin e formës së deklarimit dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat sikurse është parashikuar në ligj për të ardhurat nga punësimi.”

Pas votimit, projektligji ne  fjale u miratua  në parim me 88 vota pro, 16 kundër dhe 5 abstenim. 

Për projektligjin  “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dy janë ndryshimet kryesore tha znj Denaj: "Përjashtimin nga TVSH të automjeteve të reja vetëm me motor elektrik me synim për të nxitur individët dhe bizneset që të orjentohen drejt blerjes së këtyre mjeteve më pak të dëmshme për shëndetin. Propozimi i dytë ka të bëjë me harmonizimin e dispozitave përkatëse të ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në vendin tonë lidhur me faturimin, me përcaktimet e projektligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit".

Ky projektligj u miratua në parim me 88 vota pro, 18 kundër dhe 5 abstenim.

Per projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” znj.Denaj mes te tjerash tha se "Ndryshimet kryesore në këtë projektligj lidhen me taksat e makinave si ato të përdorura dhe ato luksoze . Kemi propozuar shtimin e dy kategorive  të makinave që të përjashtohen nga taksa e makinave të përdorura ; shtimin e kategorisë së personave me aftësi të kufizuar për tu përjashtuar nga taksa vjetore makinave të përdorura, përjashtimin nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura , automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi.Ndryshimet që lidhen me taksën e mjeteve luksoze janë dy: Së pari është propozuar një ndryshim në përcaktimin vlerës së automjetit për efekt të kritereve që duhet të përmbushi një automjet për t’u konsideruar automjet luksi duke e amortizuar vlerën e automjetit me 10% me vlerë të mbetur".

Ky projektligj u miratua në parim me 87 vota pro, 17 kundër dhe 5 abstenim. 

me tej seanca mori ne shqyrtim projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. "Projekti i fiskalizimit që sjellim sot para jush" – vijoi znj Denaj, "sjell disa element: raportim në kohë reale i transaksioneve të çdo tatimpaguesi, rikonceptim i pajisjeve fiskale , raportim në administratën tatimore të gjithë importeve nëpërmjet faturës duke mundësuar kështu monitorimin në kohë reale të të gjithë zinxhirit të tregëtimit të produkteve".

Projektligji u miratua në parim me 88 vota pro, 18 kundër dhe 5 abstenim. 

Projektligji tjeter  “Për buxhetin e vitit 2020” u miratua në parim me 92 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenim. 

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Arben Ahmetaj tha se: rritja ekonomike do duhet  të vazhdojë dhe për një  muaj apo dy  muaj , do duhet të kalojë trauma e rëndë që pësuam nga tragjedia e 26 nëntorit dhe ne do duhet të fokusohemi te zhdukja e pasojave , rindërtimi8 I vendit dhe rritja ekonomike

Më tej seanca vijoi me shqyrtimin e disa akteve normative;

Akt normativ nr. 4 datë 30.11.2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” i cili u miratua me 94 vota pro, 10 kundër dhe 5 abstenim. 

Akt normativ nr. 5 datë 30.11.2019 “Për një shtesë në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar” i cili u miratua me 97 vota pro, 9 kundër dhe 1 abstenim.  

Akt normativ nr. 6, datë 30.11.2019 “Për dhurimin e apartamenteve familjarëve të viktimave, si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019” i cili u miratua me 112 vota pro, 1 kundër.  

Akt normativ nr. 7 datë 30.11.2019 “Për një shtesë në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”i cili u miratua me 105 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenim.  

Seanca shqyrtoi dhe projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktin final të konferencës së shteteve anëtare të Konventës Ndërkombëtare për Standardet e Kualifikimit, Çertifikimit dhe Shërbimit për Detarët i cili u miratua me 103 vota pro.  

Projektrezoluta “Për ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimit në proceset demokratike kombëtare” u miratua me 97 vota pro, 5 kundër dhe 6 abstenim. 

Projektvendimi “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin “Për investimet strategjike në Republikën e shqipërisë”, të ndryshuar u miratua me 91 vota pro, 2 kundër dhe 8 abstenim.  

Projektvendimi “Për një shtesë në objektin e veprimtarisë së komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij, lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve në organet e qeverisjes vendore”, u miratua me 98 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenim. 

Në lidhje më projektvendimin “Për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm” deputët me votim të fshehtë zgjodhen me 101 vota pro dhe 2 kundër, z. Olsjan Çela në postin e Prokurorit të Përgjithshëm. 

Në mbyllje të seancës plenare, Prokurori i Përgjithshëm, z. Olsjan Çela bëri edhe betimin para parlamentit. 

Seanca i mbylli punimet  në orën 15.35.    




Share