Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës: Korsi preferenciale për të investuar e kontribuar në zhvillimin e vendit

  • Postuar më, 19/12/2019

19 dhjetor 2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës. Takimi u zhvillua pas mbledhjes së parë të konstituimit të Këshillit, më datën 18 dhjetor.


Z.Ruçi i falenderoi anëtarët e Këshillit për përgjegjësinë e madhe që  që kanë marrë përsipër për të kontribuar në këtë strukturë të rëndësishme të bashkëpunimit të shtetit e të qeverisë shqiptare me Diasporën dhe e konisderoi këtë kontribut një mision fisnik dhe kombëtar.


“Diaspora është një pjesë e rëndësishme e kombit shqiptar dhe një faktor dhe burim emancipimi. Në momente kritike për kombin shqiptar dhe vendet tona, ashtu siç jemi bashkë ne që jetojmë në shtetet e rajonit, ashtu bëheni bashkë edhe ju. Kam parasysh kontributin e Diasporës në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Kam gjithashtu parasysh kontributin tuaj në ndihmën ndaj Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit, për të cilin diskutuat edhe në mbledhjen tuaj të djeshme.


Ne kemi një vizion të ri për bashkëpunimin me Diasporën, i cili niset nga parimi Me Diasporën dhe jo thjesht për Diasporën. Për jetërsimin e këtij vizioni Kuvendi dhe Qeveria po zbatojnë një politikë të re për Diasporën, e cila synon të nxisë kontributin e Diasporës si  një faktor për zhvillimin e  vendit, por edhe si  një përfituese prej këtyre zhvillimeve si edhe lehtësirave fiskale, financiare dhe investuese që po zbatohen në ekonominë tonë.


Në Kuvend kemi miratuar një paketë të re ligjesh, e cila mbështet bashkëpunimin e shtetit me Diasporën, kemi ngritur një nënkomision të posaçëm parlamentar për Diasporën, si edhe Ministrin e Shtetit për Diasporën dhe disa agjenci që mbështesin këtë bashkëpunim.


Ne kemi besim se roli kontributi i Diasporës në zhvillimin ekonomik, shoqëror e teknologjik dhe aksesi në  burimet e vendit do të vijë duke u rritur. Ne po punojmë që Diasporës t’i krijohen korsi preferenciale për të investuar dhe ngritur ose transferuar sipërrmarrjet në Shqipëri.


Në axhendën e reformës zgjedhore është edhe çështja e të drejtës së votës së emigranëtve dhe krijimi i mundësive për të marrë pjesë në proceset elektorale në Shqipëri duke votuar në vendet  pritëse.


Shpreh bindjen time se ju do të kontriboni që komunitetet shqiptare në vendet tuaja të bëhen më aktive dhe me të drejtë, edhe më kërkues ndaj Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve të Shqipërisë dhe ura të fuqishme lidhjeje e bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe vendeve ku ju jetoni. Kuvendi i Shqipërisë është i hapur për sugjerimet dhe kontributet tuaja.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit.


Gjatë takimit Kryetari i Këshillit Koordinues, z.Mark Gjionaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të Neë York-ut, falenderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen, vlerësimin dhe vullnetin e Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve të Shqipërisë për të zgjeruar e fuqizuar bashkëpunimin me Diasporën: “Ne e kemi marrë përsipër këtë detyrë me shumë dëshirë e pasion dhe do të bëjmë maksimumin për t’i realizuar me përgjegjësi e seriozitet detyrat tona. Diaspora do bëhet një partnere reale e zhvillimit të Shqipërisë.”


Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe anëtarë të Këshillit Koordinues ngas ShBA, Kanadaja, Gjermania, Zvicra, Franca,  Mbretëria e Bashkuar etj. bashkëbiseduan dhe shkëmbyen mendime dhe ide mbi mjaft çështje aktuale të bashkëpunimit të shtetit shqiptar me Diasporën, si çështja e votës së emigrantëve, përfaqësimi i Diasporës në institucionet e Shqipërisë, tërheqja e më shumë  investimeve, burimeve njerëzore dhe ekspertizës nga Diaspora, krijimin nga Kuvendi të mundësisë për intershipe nga studentë të Diasporës etj.