Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi përshëndet në Konferencën vjetore të Avokatit të Popullit “Liria pa urrejtje-Liria e shprehjes përballë të të drejtave të tjera të njeriut”: Ruçi: liria e shprehjes, e drejtë natyrore si edhe jeta

  • Postuar më, 20/12/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi përshëndeti sot në Konferencën Vjetore të Avokatit të Popullit “Liria pa urrejtje-Liria e shprehjes përballë të të drejtave të tjera të njeriut”, mbajtur në Hotel Rogner.


Më poshtë fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit:


“I nderuar z. President i Republikës,

Të nderuar zotërinj ambasadorë,

E nderuar znj. Ballanca,


Tema e kësaj Konference prek një çështje thelbësore për sistemin demokratik: sinergjinë midis lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera të njeriut, të vendosura në kontekstin e çlirimit nga gjuha e urrejtjes.Konsolidimi i lirisë është një temë universale, por që në rajonin tonë dhe për vendin tonë merr një domethënie të veçantë.Liria është një e drejtë natyrore, po aq e shtrenjtë sa edhe jeta.Liria e shprehjes është një element thelbësor i lirisë njerëzore dhe ajo jetërsohet në forma e mënyra të ndryshme.Më së pari, ajo është një liri individuale, element thelbësor i zhvillimit të qytetarit.Por liria e shprehjes dhe fjala e lirë presupozojnë detyrimin e respektimit të lirisë së tjetrit, pra të pranosh të ndryshmin dhe të dallueshmin nga vetja.

Ky është një akt emancipues dhe i guximshëm, që kontribon në jetërsimin e lirive individuale.Kjo kërkon gjithashtu që diferencat të mos vlerësohen si një arsye e motiv për urrejtje, por si një pasuri e shoqërisë.Ne, shqiptarët kemi mjaft vyrtyte, por midis tyre shquan toleranca fetare dhe pranimi i lirisë në besimet e tjera.  Por këtë vyrtyt, pra respektimin e lirisë fetare, nuk kemi mundur ta shtrijmë në të gjithë shoqërinë.Kemi një shpërpjestim të theksuar midis respektimit të lirive fetare, shpesh edhe etnike, dhe respektimit të lirive politike.Nuk është fjala se politikisht jemi më pak tolerantë sesa si besimtarë. E keqja është se intoleranca, mëritë, ndonjëherë edhe urrejtja politike, “sabotojnë” ose dëmtojnë evitimin e urrejtjes në institucionet e jetës shpirtërore.

Prandaj Kuvendi i Shqipërisë i ka kushtuar rëndësi të veçantë kultivimit të modelit të legjislatorit tolerant, të sjellshëm, modest dhe të përkushtuar, të përmbajtur e të kulturuar.Është kjo arsyeja që në vitin 2018 miratuam Kodin e Sjelljes së Deputetit dhe përshtatëm edhe dispozitat e Rregullores ndaj këtij Kodi.

 

Të nderuar miq,

Liria e shprehjes sendërtohet dhe i shërben shoqërisë edhe nëpërmjet shtypit të lirë.Shtypi dhe media sot janë masivizuar. Dhe ne, natyrshëm, shpesh i përmbledhim në një term të vetëm, kur themi “mass-media”.Masivizimi dhe demokratizimi i medias është ndër arritjet më të mëdha të qytetërimit të sotëm.Ky demokratizim nxitet e mbështetet edhe nga teknologjitë e avancuara.Krahas demokratizimit të medias, shoqëria jonë përjeton edhe një demokratizim të teknologjive të avancuara të informacionit.Ne, shqiptarët, jemi të apasionuar pas teknologjisë. Testimet e opinionit publik provojnë se në ditët e sotme mbi 82% e familjeve shqiptare kanë akses në internet. Ndërkohë, popullsia me akses në internet rritet me rreth 2% në vit.Në një vend me rreth gjysmën e popullsisë rurale, kjo statistikë është domethënëse dhe tregon një shkallë të lartë emancipimi.  Demokratizimi i medias dhe i teknologjisë, përveç vlerave dhe dobisë së pallogaritshmë për shoqërinë dhe zhvillimin, përmbajnë në vetvete edhe “farën” e disa rreziqeve.Vetëm një hap e ndan dobinë e këtyre demokratizimeve nga dëmet që mund t’i sjellin shoqërisë dhe qytetarëve përdorimi i papërgjegjshëm i këtyre të mirave publike, “tradhëtimi” prej organeve ose punëtorëve të medias i misionit të tyre fisnik.Që këtej kuptohet sesa i rëndësishëm dhe kritik është vetërregullimi i tregut të medias.Një vetërregullim, i cili nuk mund të garantojë mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe dinjitetit të qytetarëve pa plotësimin prej rregullimit prej shtetit.Rregullimet ligjore të nevojshme nuk presupozojnë domosdoshërisht zgjerimin e rrezes së shtetit demokratik, por forcën e tij për të garantuar mbrojtjen e dinjitetit dhe lirive qytetare.Një media nuk mund të jetë e lirë, nëse lexuesit e shikuesit, pra konsumatorët, ndjehen të fyer apo të kërcënuar prej lirisë së saj.Media vërtet është një degë e katërt e qeverisjes, edhe pse e pavotuar, me tendencë rritjeje të influencës dhe pushtetit të saj në shoqëri.Por duke pranuar këtë, duhet të pranojmë se sa më shumë rritet pushteti dhe infleunca, aq më shumë duhet të rritet edhe përgjegjësia dhe vetëkontrolli. Liria e medias nuk mund të zhvillohet jashtë etikës së saj.

U zgjata pak në këtë arsyetim, nisur nga premisa se etika e medias rrezaton në të gjithë shoqërinë dhe kontribon në shmangien e gjuhës së urrjetjes midis individëve dhe institucioneve të tjera të saj.”



Share