Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uron Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca, me rastin e zgjedhjes

  • Postuar më, 26/12/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uroi sot Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca,me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë të lartë.

I dashur Glauk,

Me rastin e zgjedhjes Tuaj Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ju uroj nga zemra suksese në këtë detyrë të lartë dhe fisnike.

Kam besim të plotë se nën drejtimin Tuaj të urtë, Kuvendi i Kosovës do të përballojë e zgjidhë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, përparimit dhe integrimit të Republikës së Kosovës si edhe rritjes së  mirëqenies së qytetarëve të saj.

Përvoja juaj e gjatë si deputet, kompetenca dhe përkushtimi me të cilin kini shërbyer si Zëvëndëskryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, angazhimi i gjatë ne media si edhe në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të njeriut janë garanci se Ju do t’i përmbushni me sukses të gjitha objektivat për rritjen e kontributit të Kuvendit si dega legjislative e qeverisjes në konsolidimin e institucioneve demokratike, mirëqeverisjen, integrimet euroatlantike, shtimin e  njohjeve ndërkombëtare dhe zhvillimin, stabilitetin, fqinjësinë dhe paqen në rajon.

Gjej rastin të rikonfirmoj vullnetin dhe gadishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë si edhe timin personal se,ashtu si deri më sot, bashkëpunimi  midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës do të rritet e zgjerohet, si një  nga aspektet më të rëndësishme të bashkëpunimit tonë dypalësh.

Për të diskutuar nga afër çështje konkrete të bashkëpunimin tonë të ardhshëm, kam kënaqësinë tJu ftoj për  një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, në një kohë sa më të afërt.”, shkruhet në letrën e urimit të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.


Letra


Share