Zhvillohet Konferenca XVI e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian

  • Postuar më, 17/01/2020

U zhvillua sot në mjediset e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë Konferenca XVI e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian të shteteve pjesëmarrëse në procesin e stabilizimit dhe asocimit të Evropës Juglindore. Në moderimin e deputetes Rudina Hajdari, në cilësinë e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian, hapjen e konferencës, e përshëndeti Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi. Të pranishëm në tryezë ishin z. Luiggi Soreca, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Majlinda Bregu, sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe z. Taulant Balla, Kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Z.Ruçi në fjalën e tij theksoi nevojën e bashkëpunimit dhe kohezionit rajonal; nevojën e një ekonomie konkurruese, për institucione të forta dhe fqinjësi të mirë. Kryetari i Kuvendit e konsideroi Ballkanin Perëndimor si vlerë të shtuar të Bashkimit Evropian, si edhe theksoi se afërsia me Evropën garantohet përmes bashkëpunimit rajonal. “Integrimi ynë evropian e ka një model që mund dhe duhet të ndjekë: integrimin tonë në NATO. Mjaft vende të rajonit janë anëtare të NATO-s, por nuk kanë ende një perspektivë të qartë drejt BE-së. Serbia dhe Mali i Zi kanë çelur negociatat, por janë në vend numëro. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u refuzuan pa të drejtë dhe pa e merituar nga ky proces në mbledhjen e Këshillit Evropian të 17-18 tetorit. Ndërsa Kosova dhe Bosnje-Hercegovina kanë një përspektivë edhe më të paqartë. Kjo pozitë asimetrike midis integrimit në NATO dhe integrimit në Bashkimin Evropian dëmton jo vetëm vendet e rajonit, por edhe vetë Bashkimin”,- deklaroi z. Ruçi


Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luiggi Soreca, u shpreh se perspektiva evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor mbetet në pjesën kryesore të agjendës së vetë Bashkimit Evropian. Ai ritheksoi shpresën dhe optimizmin e shprehur nga presidentja e Komisionit Evropain, znj. Van der Leyen, për ecurinë e mbledhjes së Këshillit Evropian në mars të këtij viti. Z. Soreca theksoi se një metodologji e re e zgjerimit po përpunohet në bazë të propozimit të bërë nga vetë Komisioni Evropian. Mbetet,në këtë drejtim sipas tij, më shumë punë për t’u bërë si nga PE, ashtu edhe nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Ambasadori i BE-së e konsideroi kyç rolin e parlamenteve në kërkimin e llogarisë ndaj qeverive të rajonit në drejtim të përmbushjes së reformave, si edhe për të shërbyer si urë lidhëse mes qeverive dhe shoqërisë civile. “Dialogu mes partive politike jo gjithnjë i lehtë, por thelbësor, për progresin politik, ekonomik dhe shoqëror për secilin prej vendeve të përfaqësuara në këtë takim. Dialogu rol të pazëvendësueshëm për progresin në procesin e integrimit. Ai është jo vetëm i rëndësishëm brenda vendeve, por edhe ndërmjet qeverive të rajonit. Stabiliteti, zhvillimi dhe integrimi nuk arrihen në izolim”,- ishin fjalët e ambasadorit Soreca, që zbuloi gjithashtu edhe vizitën e Presidentit të Parlamentit Evropian në Tiranë më datat 3-4 shkurt, z. Davide Sassoli. 

Edhe z. Balla, në fjalën e tij, shprehu pakënaqësinë e rajonit me vendimin e moshapjes së negociatave të integrimit evropian. Sipas tij, duke cituar edhe presidenten Van der Leyen, ai u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kërkesat. Z. Balla e cilësoi si një nga dështimet spektakolare të BE-së mosgarantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve të Kosovës, edhe pse që prej tre vjetësh ata i kanë përmbushur kriteret dhe kushtet e liberalizimit. “BE duhet të mbajë premtimin e dhënë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo daton qysh në vitin 2003 në Samitin e Selanikut dhe ende sot mbetet një proces i hapur”,- u shpreh z. Balla në fjalën e tij. 

Znj. Majlinda Bregu, sekretare e Përgjithshme e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, e vuri theksin te rëndësia e një tregu të përbashkët rajonal e konkurrues. Gjithashtu, znj. Bregu theksoi rëndësinë e dimensionit parlamentar në procesin e Berlinit, i përfshirë së fundmi në Samitin e Poznanit. “Vijoj të jem e bindur se përfshirja e parlamenteve kombëtare në këtë proces e rrit dhe e forcon rolin mbikëqyrës te parlamenteve dhe i jep sigurisht me shume mundësi forcimit të stabilitetit dhe promovon frymën e bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.”,- u shpreh znj. Bregu, duke theksuar se përfshirja e dimensionit parlamentar do të jetë nje element që do të krijojë më shumë mundësi të përfshirjes së drejtpërdrejtë të parlamenteve në agjendën evropiane dhe rajonale, duke patur parasysh që një pjesë e madhe e volumit të punës kalon te parlamenti nga propozimi i miratimit të ligjeve dhe deri te harmonizimi i legjislacionit me “acquis” të Bashkimit Evropian. 

Znj. Rudina Hajdari, në mbyllje të pjesës së parë të konferencës, u shpreh se duhet bërë një punë intensive për javët në vijim, për të marrë maksimumin e përfitimit nga implementimi i metodologjisë së re të zgjerimit. Ajo theksoi mbështetjen e opozitës parlamentare për hapat që qeveria duhet të ndërmarrë. Si sfidat kryesore të Shqipërisë për këto muaj, znj. Hajdari theksoi rëndësinë e politikave kundër emigracionit dhe kundër trafikut ndërkombëtar të drogërave.



Share