Nis punimet sesioni i gjashtë i legjislaturës së nëntë. Kuvendi votoi ILD-në

  • Postuar më, 21/01/2020

21 janar 2020


Nis punimet sesioni i gjashtë i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Shqipërisë. Pas fjalës përshëndetëse të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u shprehën edhe tre kryetarët e grupeve parlamentare: z. Musai, znj. Hajdari dhe z. Balla. Gjithashtu, me dakordësi në Konferencën e Kryetarëve, Kuvendi votoi edhe për kandidaturat për kreun e ILD-së.


Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, në fjalën e tij hapëse u ndal te tërmeti i 26 nëntorit. “Ditët pas tërmetit ishin ditë të solidaritetit e humanizmit, të duarve të shtrira ndaj njëri-tjetrit, të bashkimit të shqiptarëve si rrallë here”,- u shpreh ai. Me rëndësi për arritjet dhe pritshmëritë e këtij parlamenti ishin SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë. Me rëndësi për z. Balla ishte përqendrimi te faza e rindërtimit. Ai bëri thirrje për përshkallëzim të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, garantoi që ky vit do të kishte më shumë shërbime online e se, brenda vitit 2020, synohej mbyllja e sportekeve dhe kalimi i tyre i plotë në shërbime online. Infrastruktura dhe energjia ishin në fokusin e z. Balla për vitin 2020, gjithashtu edhe regjimi i ri në vijën bregdetare dhe mbyllja e procesit të legalizimeve. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste premtoi në fjalën e tij se qeveria do të investojë edhe për modernizimin e universiteteve, duke nisur me kampusin e ri në Akademinë e Arteve dhe kampusin universitar në ish-qytetin “Studenti”.


Kryetari i grupit parlamentar të pavarur, z. Nimet Musai, uroi kolegët e tij për sesionin e ri parlamentar dhe përshëndeti marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te çështja dhe agjenda e integrimit të vendit dhe shtoi se nga parlamenti duhej bërë më tepër për arritjen e një përgjigjeje pozitive në mars, nga Këshilli Evropian. Z. Musai u shpreh optimist për një përgjigje pozitive në Samitin e Zagrebit dhe kërkoi që të avancohej brenda afateve të paracaktuara me reformën zgjedhore. Megjithatë, kryetari i grupit parlamentar të pavarur, shtoi se çfarëdo reforme zgjedhore, nëse nuk garantohej demokratizimi i partive shqiptare, do të rishfaqte problemet e vjetra.


Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, znj. Rudina Hajdari, e konsideroi Kongresin e Lushnjes si shpëtimtar për vendin. Sipas saj ishin themelet e para të parlamentarizmit, që ngritën shtetin e parë modern shqiptar. Znj. Hajdari u shpreh se mbajtja mend dhe lartësimi në çdo kohë i akteve të patriotizmit është detyrë kombëtare. Lidhur me veprimtarinë e Kuvendit për vitin 2019, ajo e konsideroi si një vit të vështirë, ku spikaste kriza dhe Aventura. Deputetja e grupit parlamentar demokrat u shpreh gjithashtu se opozita parlamentare i ka shërbyer dhe do të vijojë t’i shërbejë agjendës euro-atlantike.  


Në përfundim të diskutimeve parlamentare nga kryetarët e grupeve, Kuvendi votoi për zgjidhjen e kryetarit të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Me 98 vota pro dhe 8 kundër, kryeinspektor i Lartë i Drejtësisë për 9 vitet e ardhshme u zgjodh z. Artur Metani. 


Share