Zëvendëskryetarja e Kuvendit përuron ekspozitën me rastin e 100-vjetorit të parlamentit të parë shqiptar. Fjala e plotë

  • Postuar më, 21/01/2020

"Të nderuar miq,

Zonja e zotërinj,

Mirë se erdhët në përurimin e kësaj ekspozite të përgatitur me rastin e 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, pjesë e veprimtarive të kremtimit të kësaj ngjarjeje të shënuar të historisë sonë kombëtare. 

Me lejoni të falenderoj në mënyrë të veçantë ata që kontribuan në organizimin e kësaj ekspozite: Drejtorinë e përgjithshme të arkivave, Muzeun historik kombëtar dhe Agjencinë telegrafike shqiptare, të cilat bashkë me shërbimet e Kuvendit të Shqipërisë na sjellin në kujtesë episode të rëndësishme të historisë 100 vjeçare të parlamentarizmit shqiptar.

Parlamentarizimi shqiptar filloi me Kongresin e Lushnjës, i cili përmbylli periudhën e shtetformimit dhe vendosi përfundimisht arkitekturën institucionale të shtetit të pavarur shqiptar. 

Kongresi shprehu në mënyrë të qartë vullnetin dhe vendosmërinë e shqiptarëve për të mos lejuar një coptim tjetër të trojeve të tyre nga Konferenca e Paqes në Paris. 

Kongresi i Lushnjes, me vendimet e tij historike  dhe ndërhyrjet e presidentit Uillson, i cili u ndali dorën fuqive europiane, ishin dy ishin faktorë vendimtarë që shpëtuan Shqipërinë nga coptimi që i kanosej.

Kongresi i Lushnjes nisi konsolidimin e Shqipërisë së pavarur e parlamentare, ç’ka u mishërua në krijimin e Këshillit të Lartë, Senatit, Qeverisë, Statutit të shtetit dhe caktimin e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.

Fillimi i veprimtarisë së institucioneve parlamentare kontribuoi në rilindjen e ndërgjegjes politike, unifikimin e territorit të shtetit, mbrojtjen e Shqipërisë së pavarur, ndërtimin e administratës shqiptare dhe pjekurinë e shqiptarëve si qytetarë të shtetit të ri. 

Gjatë viteve që pasuan institucionet dhe veprimtaria parlamentare shqiptare kanë vazhduar të kontribojnë në konsolidimin e shtetit, zhvillimin e vendit, mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare dhe fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Shqipërisë. 

Veprimtaria parlamentare ka ndjekur dinamikën e zhvillimeve të vendit. Ajo ka pasur uljet dhe ngritjet, madje ka pësuar edhe dëmtime e goditje të rënda.

Nuk do të doja të ndalesha në periudhat e historisë së parlamentarizimit, pasi për një pjesë të saj do të flasim historianët në Konferencën shkencore që do të pasojë këtë veprimtari. 

Por do të doja të vecoja një moment në këtë rrugëtim: fillesat e jetës pluraliste parlamentare, që bulëzuan në parlamentin e dalë pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, nuk patën jetë të gjatë. 

Rrjedhimisht, gjatë gati një gjysëm shekulli, si të gjitha degët e qeverisjes, edhe pushteti legjislativ nuk ishte një pushtet i pavarur. 

Kjo situatë mori fund në vitin 1991, kur me ligjërimin e pluralizmit politik, institucionet dhe veprimtaria parlamentare rifilluan normalisht në Shqipëri. 

Ndryshimet demokratike që nisën në dhjetor 1990 hapën një kapitull të ri edhe për parlamentarizmin shqiptar. 

Alternativat e reja politike e pluraliste që u krijuan në vend përmes zgjedhjeve, herë korrekte e herë të kontestuara, i dhanë jetë parlamentarizmit të ri në formë e përmbajtje. 

Parlamentet e zgjedhura shqiptare të Shqipërisë pluraliste e demokratike kanë dhënë kontribute të çmuara në ndërtimin e forcimin e rendit demokratik, të shtetit ligjor, qeverisjes së mirë dhe në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Në këtë 100 vjetor të parlamentarizmit, shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të sotëm të Shqipërisë për veprimtarinë dhe kontributin e të gjithë parlamentarëve shqiptarë në zhvillimin, përparimin e demokratizimin  e Shqipërisë. 

Faleminderit!"