Miratohet në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare projektligji “Për dhënie amnistie”

  • Postuar më, 22/01/2020

22 janar 2020


Komisioni i Sigurisë Kombëtare zhvilloi mbledhjen e parë për sesionin e ri parlamentar. Objekt i shqyrtimit të kësaj seance, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, ishte projektligji “Për dhënie amnistie”. E pranishme në komision ishte ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj. Shqyrtimi i projektligjit ishte shtyrë disa herë, për shkak të agjendës së paraqitur me emergjencë nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar.

Ministrja Gjonaj prezantoi përmbajtjen e projektligjit për komisionin. Ministrja sqaroi se kjo nismë vjen pas tre vjetëve në mungesë, pa dhënie amnistie që shuante ekzekutimet e dënimeve dhe parimet mbi të cilat bazohet janë e drejta e trajtimit njerëzor, respektimi i dinjitetit të individit, mbahet në vlerësim shkalla e ulët e rrezikshmërisë së disa personave, mbrojtja e interesit publik etj.

“Amnistia e dënimit është akti që shpreh vullnetin shtetëror dhe për nga fryma e ligjit. Qëllimi parësor i kësaj amnistie janë gratë dhe të miturit. Kjo kategori kërkon një tjetër mundësi për rehabilitim. Janë marrë parasysh veprat penale për të cilat ashpërsia e dënimit nuk ka qenë e madhe. U ndala të sqaroj se pse këto dy kategori kanë qenë në fokusin kryesor. Në disa raste në opinion publike është parë se mund të ketë dhe elemente diskriminues, për faktin që është ndjekur për këto kategori.”, -tha ministrja Gjonaj në komision.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga deputetët, komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.