Dy nënkomisione parlamentare zhvillojnë seancë dëgjimore për funksionimin e Mekanizmit të koordinuar të referimit të rasteve të dhunës në familje

  • Postuar më, 11/02/2020

Nënkomisioni Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, Nënkomisioni për Çështjet Vendore, si dhe Aleanca e Grave Deputete, organizuan një seancë dëgjimore me përfaqësues nga institucionet shtetërore, shoqëria civile, shoqatat vendore, lidhur me funksionimin e Mekanizmit të koordinuar të referimit të rasteve të dhunës në familje në nivel vendor.

Tryeza e drejtuar nga kryetarja e Nënkomisionit Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, znj. Eglantina Gjermeni,  pati si agjendë diskutimi evidentimin e problematikave që shfaqen në praktikë, si dhe në dhënien e rekomandimeve për mënyrën e funksionimit të këtyre mekanizmave për të parandaluar dhe trajtuar rastet e dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje.

                                                         E para që referoi rreth problematikave ishte zëvendësministrja e Brendshme znj. Romina Kuko, e cila renditi si shqetësim mosrakordimin e numrit të rasteve të referuara nga punonjësit në nivelin vendor me denoncimet  e ardhura në polici, por dhe mungesën e një institucioni menaxher të rasteve të dhunës në familje.  “Ajo që na duhet të bëjmë në këtë moment, është që të konfigurojmë një menaxher rasti, i cili ka përgjegjësitë ligjore, i cili merr ecurinë e vetë disiplinore,  i cili mban të gjithë peshën e ndjekjes së këtij rasti, i cili koordinon institucionet në nivelin vendor”, propozoi znj.Kuko.

Më tej diskutimet u vijuan nga znj.Merita Xhafaj, drejtore e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila pasi bëri një ekspoze të hapave që janë ndërmarrë deri më tani,  ka theksuar se po punohet për ngritjen e Mekanizmit të Koordinuar të Referimit në të 61 bashkitë e vendit, por dhe rritjes së efektivitetit të të gjitha mekanizmave të koordinuar të referimit. Ajo konstatoi më tej se Komiteti Drejtues, i cili mblidhet nga drejtuesit vendorë të bashkive, mbetet hallka më e dobët në arkitekturën e MKR-së.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, znj.Iris Aliaj sqaroi kontributin që institucionet e drejtësisë japin në mekanizmat e referimit kundër dhunës, duke u fokusuar në ligjin “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, i cili mundëson dhënien e ndihmës juridike falas për gratë e dhunuara.  Znj.Aliaj bëri të ditur se brenda muajit mars,  parashikohet të përfundojnë të gjitha aktet nënligjore, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë ka filluar të hapë zyrat e para të ndihmës juridike parësore.  

Të ftuar për të diskutuar rreth problematikave ishin edhe përfaqësuesit e shoqatave të pushtetit vendor. Znj. Adelina Farrici nga Shoqata për Autonominë Vendore, ngriti si shqetësim mungesën e burimeve njerëzore të trajnuara dhe të kualifikuara në pushtetin vendor, për ofrimin e ndihmës ndaj grave të dhunuara; por dhe mosfunksionimit të të gjitha Komiteteve drejtuese të MKR nëpër bashkitë e vendit. Ndërsa z. Agron Haxhimali nga Shoqata e Bashkive, propozoi rajonalizimin e këtyre mekanizmave dhe  shërbimeve në disa qendra të mëdha.  

Pjesë e diskutimeve ishin përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët ndanë  eksperiencat e tyre lidhur me trajtimin  rasteve të dhunës në familje, si dhe ndanë propozime konkrete për të adresuar problematikat e hasura në praktikë.