Kuvendi zhvillon interpelencë urgjente me ministrin e Brendshëm, z. Sandër Lleshaj, kërkuar nga shtatë deputetë të opozitës

  • Postuar më, 12/02/2020

12 shkurt 2020

Seanca e sotme plenare nisi me një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, të kërkuar nga një grup prej 7 deputetësh të opozitës parlamentare.

Në emër të grupit të deputetëve, z. Lefter Maliqi, kërkoi sqarime lidhur me situatën e kriminalitetit në vend dhe sipas tij nivelin e ulët të zbulueshmërisë së ngjarjeve të rënda, të ndodhura kohët e fundit në disa qytete të vendit.

 

Deputeti Maliqi gjatë parashtresës risolli si shqetësim përdorimin e gazit lotsjellës gjatë protestave të vitit 2019, si dhe kërkoi sqarime lidhur me masat e marra dhe rezultatet e policisë ndaj kultivuesve të drogës dhe trafiqeve, rolin e policisë kufitare në pikat doganore dhe vijën bregdetare, ecurinë e Vettingut në Policinë e Shteti, si dhe rekrutimet për njësinë operacionale OFL.

Ministri i Brendshëm, z. Sandër Lleshaj, u shpreh se situata e rendit dhe e sigurisë, përkundër pretendimeve të deputetit Maliqi është në nivelet më të mira, bazuar në statistika dhe perceptimin e publikut. Ministri Lleshaj solli të dhëna për numrin e vrasjeve, ku theksoi se: “mesatarja e vrasjeve në Shqipëri për 10 vitet e fundit është 85, për vitin 2019 janë shënuar 30 raste më pak se mesatarja e 10 viteve të fundit”.

Ministri u ndal më tej në luftën për goditjen e krimit të organizuar në vend, ku veçoi se për vitin 2019 janë goditur dhe shkatërruar 24 grupe kriminale dhe shtoi më tej se kultivimi dhe trafiku i lëndëve narkotike mbetet në shifrat më të ulëta historike.

Lidhur me angazhimin e policisë dhe përdorimin e gazit lotsjellës gjatë protestave të vitit 2019, z. Lleshaj sqaroi se Policia e Shtetit u detyrua të mbrojë institucionet shtetërore nga sulmet e dhunshme të organizuara, por duhet vlerësuar fakti se u arrit të mos rrezikohej jeta e asnjë qytetari shqiptar dhe të mbroheshin institucionet kushtetuese të vendit.

Në fjalën e rimarrë, deputeti Maliqi i pretendoi si të pavërteta të dhënat e paraqitura nga ministri Lleshaj dhe se Akti normativ më i fundit dëshmon emergjencën e krijuar për gjendjen e sigurisë në vend. Ministri Lleshaj rrëzoi pretendimet e deputetit Maliqi dhe në përgjigje theksoi se Akti normativ synon të zgjidhë anën administrative për çështjet e pasurive të pajustifikuara. “Roli i Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sistemet të drejtësisë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese është për të adresuar dhe vënë në dispozicion të publikut, pasuri që i janë marrë në mënyrë kriminale publikut. Kaq. Sigurisht që ky akt ka shqetësuar shumë njerëz, të të gjitha kategorive. Në radhë të parë banditëve, këtë shqetësim nuk ua heq askush”, përfundoi ministri Lleshaj.


Share