Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Mevlüt Çavusoglu: Ndërtimi i 500 shtëpive për familjet e pastreha fillon në fund të shkurtit

  • Postuar më, 12/02/2020

12 shkurt 2020

 

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Mevlüt Çavusoglu, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.


Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se: “Marrëdhëniet politike midis të dy vendeve tona janë të shkëlqyera dhe zhvillohen në një mirëkuptim të plotë.  Dialogu politik, marrëdhëniet miqësore, shkëmbimet e shumta e intensive kanë fuqizuar partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe bashkëpunimit institucional në të gjitha fushat dhe nivelet. Bashkëpunimi ekonomik, shkëmbimet tregëtare dhe investimet turke në Shqipëri po rriten. Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur dhe do të mbështesë fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat. Shqipëria i është mirënjohëse Turqisë për mbështetjen e fuqishme të njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke kontribuar si një partner i rëndësishëm i Kosovës dhe Shqipërisë në këto përpjekje. ”



Kryetari i Kuvendit i shprehu ministrit Çavusoglu mirënjohjen për mbështetjen për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit si edhe solidaritetin për popullin turk dhe familjet e dëmtuara nga tërmeti i 24 janarit në Turqi.


Ministri Mevlüt Çavusoglu falënderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi  për fjalët e ngrohta, vlerësimet dhe mbështetjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë dhe i transmetoi përshëndetjet e përzemërta vëllazërore të Presidentit Erdogan dhe Kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Sentop.


“Shqipëria është një partner shumë i rëndësishëm strategjik i Turqisë dhe kontributi për paqen, sigurinë dhe stabilitetin nuk varen nga madhësia e vendit, por nga vendosmëria për këto kauza. Ne do të mbështesim rritjen dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat dhe investimet prej 3.5 miliard USD në Shqipëri do të pasohen nga të tjera në të ardhmen. Turqia mbështet fuqimisht rritjen e rolit të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore sepse i kushton një vëmendje e kujdes të veçantë zhvillimeve në rajon. Turqia do të marrë pjesë në mbledhjen e donatorëve dhe do të nxisë vendet pjesëmarrëse për rritjen e kontributeve të tyre për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e rindërtimit. Ndërtimi prej Turqisë i 500 njësive të banimit për familjet e pastreha prej tërmetit të 26 nëntorit do të fillojë në fund të muajit shkurt. Përpjekjet dhe kontributi ynë për njohjen dhe rritjen e rolit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare do të rriten.”,- vuri në dukje ministri Mevlüt Çavusoglu.