Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 12/02/2020

12 shkurt 2020

Nën drejtimin e kryetarit z.Gramoz Ruçi, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancë plenare, e cila nisi me një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, z.Sandër Lleshaj, e kërkuar nga një grup prej shtatë deputetësh të opozitës parlamentare. 

Seanca vijoi më pas me shqyrtimin e gjashtë projektligjeve, të parashikuara në rendin e ditës. I pari ishte projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8561, datë 22.12.1999, ‘Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik’, të ndryshuar”. Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për këtë projektligj foli deputeti Arben Pëllumbi, i cili theksoi se ndryshimet ligjore të propozuara synojnë zgjidhjen dhe adresimin e drejtë të të gjitha problematikave që janë shfaqur ndër vite me procesin e shpronësimeve. Sipas tij krijimi i Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin do të shërbejë për eliminimin e burokracive dhe vonesave ndërinstitucionale, do të realizojë negocimin me të shpronësuarit, si dhe do të trajtojë një sërë problematikash të tjera të mbartura në kohë. Ky projektligj u miratua në tërësi me 84 vota pro, 19  kundër  dhe 3 abstenim. 

Më tej seanca vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9942, datë 26.6.2008, “Për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut’, të ndryshuar”. Në emër të grupit parlamentar të PS-së, znj. Klodjana Spahiu u ndal tek rëndësia  e këtyre ndryshimeve ligjore, të cilat kanë për qëllim parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut, sidomos tek fëmijët. Në fund të fjalës së saj, deputetja ftoi të gjithë kolegët të miratojnë ndryshimet e propozuara dhe të rrisin rolin monitorues në zbatimin e këtij ligji. Projektligji në fjalë u miratua në tërësi me 106 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim. 

I treti në radhën e diskutimeve ishte projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar”. Në emër të grupit parlamentar demokrat foli z. Myslim Murrizi, i cili u shpreh skeptik për ndryshimet e propozuara, pasi sipas tij nuk ekziston një nevojë reale për punësimin e të huajve në Shqipëri apo mungesë për krah të lirë pune, në kushtet kur mijëra të rinj emigrojnë për shkak të nivelit të lartë të papunësisë në vend. Projektligji në fjalë u miratua në tërësi me 89 vota pro, 14 kundër dhe 1 abstenim. 

Diskutimet pasuan me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të ndryshuar”, nismë e tre deputetëve të grupit të PS. Në emër të grupit parlamentar socialist  znj. Klotilda Bushka theksoi se qëllimi i projektligjit është ofrimi i një mekanizmi efektiv, për të mospenguar në të ardhmen punën e Gjykatës Kushtetuese, duke siguruar që betimi përpara Presidentit të Republikës të bëhet brenda një kohe të mjaftueshme, pa cënuar fillimin e ushtrimit të detyrës nga ana e gjyqtarit Kushtetues. Ky projektligj u miratua në tërësi me 86 vota pro, 13 kundër dhe 7 abstenim. 

Më tej u vijua me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”. Deputeti Alket Hyseni, një prej bashkë-propozuesve të nismës ligjore, u shpreh në emër të grupit parlamentar të PS-së se ndryshimet e propozuara janë konsultuar me Komisionin e Venecias, OSBE/ODHIR dhe me praktikat më mira ndërkombëtare. Ai theksoi se propozimet sjellin përmirësime në tre komponentë bazë: afatet e betimit për magjistratët para fillimit të ushtrimit të funksionit, së dyti trajtimin e diferencuar të SPAK dhe së treti parashikimin e mekanizmave të pezullimit nga detyra të magjistratit në rastet kur sjellja e tij rrezikon të diskreditojë figurën e një magjistrati në publik. Ky projektligj u miratua në tërësi me 87 vota pro, 15 kundër dhe 4 abstenim. 

I fundit në radhën e diskutimeve ishte projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9863, datë 28.01.2008 “Për ushqimin” të ndryshuar””, i cili u miratua në tërësi me 85 vota pro, 10 kundër dhe 4 abstenim. 

Ndërsa projektvendimi “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019 “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, u miratua në tërësi me 87 vota pro, 1 kundër dhe 6 abstenim.

Punimet e seancës plenare u mbyllën rreth orës 19:25.