Zëvendësministrja e Brendshme, znj. Romina Kuko, dëgjesë për strategjinë e re të pushtetit vendor

  • Postuar më, 13/02/2020

13 shkurt 2020

 

Nënkomisioni për qeverisjen vendore zhvilloi sot një seancë dëgjimore lidhur me strategjinë e re të pushtetit vendor me zëvendësministren e Brendshme, znj. Romina Kuko. I pranishëm në dëgjesë ishte edhe z. Bekim Murati, drejtuesi i Agjencisë për Mbështetje të Vetëqeverisjes Vendore. Mbledhja u drejtua nga kryetari i nënkomisionit, z. Bashkim Fino. 

Znj. Kuko e përqendroi fjalën e saj në katër çështje kryesore: së pari ajo u ndal te plotësimi i kuadrit ligjor në pjesën e pushtetit vendor, ku shtroi idenë e përpunimit të një kalendari që e detyron pushtetin qendror për mbarimin e rregullimeve të ligjeve që prekin pushtetin vendor deri në një afat të caktuar; znj. Kuko shtroi gjithashtu edhe çështjen e strukturave të fryra të disa bashkive, duke shtruar idenë e standardizimit kombëtar të strukturimit të tyre; zëvendësministrja shtroi gjithashtu nevojën për përfshirjen e nënkomisionit në rakordimin me këshillin konsultativ mes qeverisë vendore dhe asaj qendrore për rakordimin e ligjeve në diskutim si edhe, sa i takon strategjisë, ajo u shpreh se shihet e nevojshme ndërhyrja përmes disa ndryshimeve rregulluese që nuk e prekin thelbin e strategjisë: siç ishte nevoja e standardizimit kombëtar të shërbimeve të ofruara nga bashkitë.

Mbledhja vijoi me diskutimet, pyetjet dhe sugjerimet e anëtarëve të nënkomisionit. 




Share