Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton dy projektligje

  • Postuar më, 13/02/2020

Nën drejtimin e kryetarit, z. Niko Peleshi, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, nën cilësinë e komisionit përgjegjës vijoi me shqyrtimin në parim të projektligjit “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse të rinovueshme për transport”.  Të ftuar për të marrë pjesë në diskutime ishin edhe grupet e interesit. Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ishin të pranishëm: z. Ilir Bejtja, zëvendësministër dhe z. Ilia Gjermani, drejtor drejtorie në këtë ministri. Ndërsa të ftuar nga kompanitë që operojnë në vend në fushën e karburanteve ishin: z. Krenar Loloçi dhe z. Anastas Goga, nga La Petrolifera Italo Albanese Sh.A”, z. Gjergji Bojaxhi, nga “Everest Oil” dhe z. Luigj Alijaj dhe z. Imir Abazi, nga Shoqata e Hidrokarbureve. Në mbledhjen e mëparshme, përfaqësuesit e grupeve të interesit paraqitën disa sugjerime për nene të caktuara, një pjesë e së cilave u morrën parasysh nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe sot  iu bënë të ditura deputetëve të komisionit parlamentar.  

Z. Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë garantoi se në asnjë moment nuk do cenohet konkurrenca e lirë dhe se ligji nuk ka kufizime:” Në kushtet që janë, me të drejtat që këta kanë, në licencat e tyre, kjo lloj qasje ju jep hapësirë të gjithëve, por pa i dëmtuar ata që e kanë të drejtën themelore bazë, tregtarët të cilët e kanë të drejtën e tyre të parë dhe prodhuesit që e kanë të drejtën e tyre të parë”, u shpreh z.Bejtja.  

Në seancën e dytë, mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006 "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit", nismë e deputetit Ilir Beqja. Të ftuar për të dhënë sqarime lidhur me projektligjin ishte znj.Mira Rakacolli, zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Pas diskutimeve projektligji në fjalë nuk u miratua në parim.