Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti përfaqësuesit e Simpoziumit Shkencor për Lumenjtë e Egër

  • Postuar më, 14/02/2020

 14 shkurt 2020


Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot përfaqësuesit e Simpoziumit Shkencor për Lumenjtë e Egër, Prof.  Aleko Miho dhe Prof. Dr. Friedrich Schiemer.

Shkencëtarët i paraqitën Kryetarit të Kuvendit shqetësimet e komunitetit shkencor dhe mjedisor mbi ruajtjen e vlerave të mëdha gjeomorfologjike të Lumit Vjosa dhe kërkuan që projektet e zhvillimit për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë të mbajnë parasysh zbatimin e standardeve për zhvillimin e qëndrueshëm, vlerësimet shkencore të thelluara të ndikimeve në mjedis, si edhe vlerat e komunitetet lokale.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, vuri në dukje vlerat e mëdha të Lumit Vjosa dhe nënvizoi se ndan të njëjtin mendim me shkencëtarët se projektet e zhvillimit duhet të harmonizohen me ruajtjen e mjedisit dhe kërkesat e rrepta të zhvillimit të qëndrueshëm, duke menduar jo vetëm për sot, por edhe për brezat e ardhshëm.

Z. Ruçi rekomandoi që vlerësimet e Simpoziumit Shkencor për Lumenjtë e Egër mbi pasojat e ndikimit në mjedis të veprave energjetike në Lumin Vjosa t'u bëhen të njohura Qeverisë dhe institucioneve shtetërore. 


Share