Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi ndryshimet e projektligjit për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara

  • Postuar më, 14/02/2020

14 shkurt 2020

 

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi e në drejtimin e kryetares, znj. Milva Ekonomi, shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e sotme projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019 “për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara””. I pranishëm në komision për prezantimin e ndryshimeve të sjella për ligjin ishte zëvendësministri i Brendshëm, z. Besfort Lamallari. Projektligji u relatua nga deputeti i Partisë Socialiste, z. Ervin Bushati.

 

Z. Lamallari, në prezantimin e projektligjit u shpreh se nisma vjen si pjesë e paketës së qeverisë për luftën ndaj krimit te organizuar dhe terrorizmit, duke patur në thelb goditjen e pasurive kriminale me origjinë veprimtarinë e krimit të organizuar. Zëvendësministri shtoi se projektligji i jep rol kyç Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Konfiskuara dhe të Sekuestruara dhe e bën këtë të fundit më proaktive.  

 

Zëvendësministri i Brendshëm numëroi disa ndryshime të sjella përmes projektligjit të ri: kalimi te Agjencia i kompetencës së trajtimit dhe administrimit të pasurive të sekuestruara nga organet administrative; ngarkimi i agjencisë me përgjegjësinë e administrimit të pasurive për të cilat është vendosur masa e sekuestros ose e konfiskimit sipas aktit normativ nr. 1, dt. 31.1.2020; ngarkimin e agjencisë me përgjegjësinë e administrimit të provave materiale të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale; shtimin e rolit të Agjencisë përmes së drejtës për t’iu drejtuar me kërkesë prokurorisë dhe gjykatës për të urdhëruar përdorimin, tjetërsimin ose asgjësimin e provave materiale, që mund të ndryshojnë; shtimi i përgjegjësisë për të dhënë në përdorim të institucioneve dhe enteve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, apo edhe palëve të treta i pasurive të sekuestruara; përfshirja e Komitetit Ndërinstitucional me rol përgjegjësi për realizimin e shitjeve të pasurive të luajtshme të sekuestruara, duke ia fuqizuar së tepërmi rolin këtij komiteti.

 

Deputetë e komisionit vijuan me pyetje dhe diskutime. Komisioni, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, e miratoi projektligjin dhe ndryshimet e sjella prej tij. ?