Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 17/02/2020

Në drejtimin e kryetarit, z.Gramoz Ruçi, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot, në seancë plenare.

Seanca nisi me shqyrtimin e dy projektligjeve.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa ne ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, të ndryshuar”. Në emër të grupit parlamentar të P.S për kët projektligj foli z.Besnik Baraj i cili në fjalën e tij e vuri theksin te rëndësia e këtij ligji për krijimin e klimës shkurajuese për përdorimin e duhanit Më tej ai vijoi:”Edhe pse jam dakort në parim me ligjin, dyshoj në praktikën e zbatimit të tij. Ajo që unë doja t’i jepja prioritet , janë masat edukative, sensibilizuese, vecanërisht rolin e shkollës sonë dhe të medias në drejtimin e shkurajimit të përdorimit të duhanit.Që në shkollën fillore duhet të jetë pjesë e mësimdhënies, në mënyrë që realisht të bëjmë të ndërgjegjshëm brezin e ri , që duhani vret’. Projektligji në fjalë u rrëzua me 75 vota kundër 8 vota pro dhe 7 abstenim.

Projektligji “Për produktet plehëruese”.Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për këtë projektligj foli z.Ardit Konomi i cili, tha se: “Qëllimi i këtij projektligji është garantimi i shëndetit të njerëzve pikësëpari dhe të kafshëve, si dhe mbrojtja e mjedisit nga përdorimi i produkteve plehërues, rritja e efikasitetit në të ushqyerit e bimëve me elemente ushqyese, si dhe përmirësimi i cilësive fiziko-kimike dhe të pjellorisë së tokës. Objektivi që synohet të arrihet është përcaktimi i rregullave për prodhimin, regjistrimin, tregëtimin, përdorimin, kontrollin e cilësisë, gjurmueshmërinë, informimin, reklamimin dhe inspektimin e veprimtarive që lidhen me produktet plehëruese si dhe organizimin e funksionimin e strukturave përkatëse”. Projektligji në fjalë, u miratua me 81 vota pro 10 kundër dhe 3 abstenim.

Më tej, seanca vijoi me diskutime jashtë rendit të ditës.

Seanca i mbylli punimet,rreth orës 12.30.