Kodheli thirrje parlamentarëve në Asamblenë e NATO-s: Mbështesni Shqipërinë në procesin e hapjes së negociatave

  • Postuar më, 18/02/2020

Delegacioni i Përhershëm Parlamentar nga Kuvendi i Shqipërisë në Asamblenë e NATO-s, kryesuar nga znj. Mimi Kodheli është duke marrë pjesë në punimet e përbashkëta të komisioneve që po zhvillohet në Bruksel. 

Në ditën e parë të punimeve në takimin me përfaqësuesit më të lartë të Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku ishin prezentë Sekretari i Përgjithshëm, z. Jens Stoltenberg, si dhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve së SHBA-ve, znj. Nensi Pelosi, krerët e delegacioneve diskutuan mbi sfidat e sotme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. 

Gjatë ndërhyrjes së saj znj. Kodheli kërkoi mbështetjen e kolegëve parlamentare të vendeve NATO, në procesin e hapjes së negociatave për vendin tonë. "Përgëzoj NATO-n për politikën e dyerve të hapura dhe që ka mikpritur në gjirin e saj jo vetëm vendet e mëdha, por edhe të vogla, duke u nisur nga interesat gjeostrategjike. Nga ky podium i nderuar dua t'ju bëj thirrje që të ktheheni në parlamentet respektive dhe nisur nga këto interesa të na mbështesni në rrugën tonë", tha znj. Kodheli. 

Duke vijuar ajo propozoi bashkimin e agendës së NATO-s me atë të OSBE, Presidencën e së cilës e kryeson Shqipëria për rastin e Ukrainës, duke qenë se është edhe një prej prioriteteve të vendit tonë. 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s z. Stoltenberg prezantoi një panoramë të përgjithshme të të gjitha skenarëve të fushave se ku vepron aktualisht Aleanca si dhe sfidat me të cilat përballet sot. 

Gjithashtu delegacionet patën një bashkëbisedim edhe me Kryetaren Pelosi sa i përket teknologjisë dhe ccështjes 5G si dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara në NATO. 

Në ditën e dytë të konferencës ju drejtua me një fjalë përshëndetëse edhe Ministri i Jashtëm i Belgjikës. Ai paraqiti prioritetet e Belgjikës në politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes duke dëshmuar impenjimin e vendit të tij sa i përket mbrojtjes kolektive.