Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, vizitë zyrtare në Arabinë Saudite

  • Postuar më, 18/02/2020

Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, z. Taulant Balla, po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Arabisë Saudite, z. Abdullah Ibn Muhammad Al Sheikh. 

Takimi i parë i mirëseardhjes ishte pikërisht me Kryetarin e Parlamentit Saudit Abdullah Ibn Muhammad Al Sheikh ku thelbi i bisedës ishte procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, mbështetja dhe solidariteti shumë i madh ndërkombëtar, si dhe u diskutua mbi aspekte të bashkëpunimit dypalësh politik, ekonomik e tregëtar, si edhe mbi intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar.

Kryetari i Parlamentit të Arabisë Saudite u shpreh se mbështetja e Arabisë Saudite do të zgjerohet së shpejti edhe në një mbështetje financiare të drejtëpërdrejtë bilaterale.

Kryetari i Kuvendit Ruçi i shprehu mirënjohjen Kryetarit Al Asheikh për solidaritetin e Arabisë Saudite pas tërmetit të 26 nëntorit dhe nënvizoi se përveç kontributit nëpërmjet Bankës Islamike për Zhvillim, do të mirëpriste edhe një ndihmë të drejtpërdrejtë financiare për mbështetjen e fazës së rindërtimit. “Bashkëpunimi i shkëlqyer politik midis të dy vendeve duhet të përkthehet në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, tregëtar dhe të investimeve saudite, të cilat janë të mirëpritura në Shqipëri.”, nënvizoi Kryetari Ruçi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla nënvizoi se “Shqipërinë dhe Arabinë Saudite i bashkon edhe bashkëpunimi i ngushtë dhe partneriteti strategjik me SHBA në luftën kundër terrorizmit. Të dy vendet  tona janë partnerë të besueshëm të Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit”.

                                                   

Kryetari i Parlamentit të Arabisë Saudite Abdullah Ibn Muhammad Al Sheikh, vlerësoi lart bashkëpunimin dhe marrëdhëniet vllazërore me Shqipërinë dhe vuri në dukje vullnetin e palës saudite, posaçërisht të Mbretit të Arabisë Saudite, Madhërisë së Tij, Salman bin Abdulaziz Al Saud për zgjerimin dhe forcimin e këtyre marredhënieve.

Gjatë takimit u bisedua edhe për aspekte konkrete të bashkëpunimit dypalësh në fushën e turizmit, transportit ajror, etj. Së shpejti do të fillojë të funksionojë edhe linja direkte midis të dy vendeve.