Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë seancë dëgjimore

  • Postuar më, 18/02/2020

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë me kryetar z. Enver Roshi, me propozim të një grupi deputetësh, u mblodh sot në një seancë dëgjimore lidhur me disa denoncimeve për parregullsi në “Urdhrin e Stomatologut të Shqipërisë”.

Në këtë dëgjesë ishin të pranishëm përfaqësues të “Urdhrit të Stomatologjisë të Shqipërisë”, z. Nikoll Deda, president i tij, znj. Enida Petro, presidente e Këshillit Rajonal të USSH-së, anëtar i Këshillit Kombëtar të USSH-së, Z. Gjergj Alia, president i Këshillit Rajonal si edhe z. Spartak Sako, kryetar i Komisionit për Gjykimin Disiplinor Rajonal. 

Z. Almiro Gurakuqi ishte përfaqësuesi i “Urdhrit të Stomatologut Tiranë”, si dhe znj. Antoneta Njehrrena, përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë. 

Në seancën dëgjimore, përfaqësuesi i Stomatologut Tiranë, z. Romeo Gurakuqi, shprehu pakënaqësinë rreth përzgjedhjes së presidentit të Këshillit Kombëtarë të USSH-së, funksionimit të tij, anëtarëve të regjistruar si dhe padinë e fituar në të dyja shkallët e gjyqësorit asaj të Tiranës dhe Administratives, pasi e kanë vlerësuar të padrejtë mandatin e z. Deda. që përfundon më 7 prill të 2020-s.  

Nga ana e tij z. Deda e konsideroi legjitim mandatin e tij të zgjedhur nga anëtarët e “Urdhrit të Stomatologjisë së Shqipërisë” si dhe vlerësoi punën dhe ecurinë e mandatit të drejtuar prej tij. 

Në diskutim u përfshinë deputeti Halit Valteri, i cili e konsideroi të padrejtë një mandat të kundërshtuar nga Institucioni më i lartë ligjvënës siç është Gjykata e Lartë Administrative. Ai shtoi se në drejtim të këtij komisioni kishin ardhur mjaft denoncime për nga mënyra se si funksionon dhe ushtron kompetencat dhe merr vendimet Urdhri. 

Deputetja Klodiana Spahiu e vlerësoi punën e bërë nga komisioni përkatës, jo vetëm për Urdhrin në fjalë, por për të gjithë Urdhrat e tjerë, të cilët duhet të monitorohen më së miri prej Ministrisë së Shëndetësisë dhe konfliktet e tyre duhet të zgjidhen nga Gjykatat për një proces sa më të drejtë dhe transparent. Deputetja e Shkodrës, znj. Ambra Borova, e cila shtoi se duhej të rritej numri i stomatologëve të regjistruar në mënyrë, që zgjedhjet të jenë më efikase dhe transparente.