Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, miratoi ndryshimet “Për pajisjet mjekësore”

  • Postuar më, 20/02/2020

20 shkurt 2020

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, nën drejtimin e kryetarit z. Enver Roshi, shqyrtoi nen për nen projektligjin “Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.89/2014, “Për pajisjet mjekësore”.

Deputetja znj. Edlira Bode gjatë relatimit të saj përpara deputetëve të komisionit theksoi se tërësia e masave të parashikuara në këtë projektligj synon të përmirësojë nivelin e mbrojtjes, të sigurisë dhe shëndetit të pacientëve që përdorin pajisje mjekësore.

Në këtë diskutim ishin të pranishme, znj. Antoneta Njehrrena, përfaqësuese juridike e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe znj. Narvina Sinani drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Barnave, të cilat dhanë sqarimet përkatëse dhe iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me nene të caktuara.

Pas diskutimeve të ndryshme nga anëtarët e komisionit projektligji në fjalë u miratua nen për nen dhe në tërësi.