Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli, priti sot në takim Ambasadorin e Italisë në Tiranë, z. Fabrizio Bucci
- Postuar më, 20/02/2020
20 shkurt 2020
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli, priti sot në takim Ambasadorin e Italisë në Tiranë z. Fabrizio Bucci. Pasi i uroi Ambasadorit Bucci mirëseardhjen në vendin tonë, znj. Kodheli vlerësoi bashkëpunimin dypalësh mes Shqipërisë dhe Italisë. “Italia është mikja jonë më e madhe, vendi që ka treguar se është afër nesh edhe në ditët tona më të vështira, që i ka qëndruar afër popullit shqiptar e për këtë ju jemi përherë mirënjohës”, tha ajo.
Kryetarja Kodheli theksoi se partneriteti strategjik
midis dy vendeve është një garanci për të pasur një bashkëpunim edhe më të madh
dhe të gjithanshëm si në aspektin dypalësh, veçanërisht atë ekonomik dhe
tregtar. Ajo vlerësoi qëndrimin mbështetës dhe lobues të Italisë për hapjen e
negociatave me BE, mbështetje e cila vjen si pasojë e leximit të rezultateve
konkrete në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.
Duke vijuar znj. Kodheli nënvizoi se pavarësisht fushave
të shumta të bashkëpunimit, të dyja vendet tona duhet të shohin mundësinë të
mbushin hapësirat boshe dhe në interes të përbashkët në të mirë të qytetarëve
shqiptarë.
Nga ana e tij Ambasadori tha se Italia do të qëndrojë
gjithnjë në krah të Shqipërisë dhe do të ndihmojë në rimëkëmbjen e vendit pas
dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i nëntorit.
Ai gjithashtu vuri theksin në rritjen e bashkëpunimit
ekonomik mes vendeve, si dhe rritjen e prezencës së investitorëve italianë që
veprojnë në Shqipëri.