Takim monitorues në bashkinë Korçë lidhur me ndihmën ligjore parësore, minoritetet dhe strehimin social e integrimin e tyre. Problematikat e organeve të qeverisjes vendore

  • Postuar më, 18/02/2020

18 shkurt 2020

Komisioni për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Nënkomisioni parlamentar për të Drejtat e njeriut, me mbështetjen e Prezencës së OSBE në Tiranë, në kuadër të ushtrimit të funksionit të kontrollit parlamentar, të fokusuar veçanërisht në kontrollin post- legjislativ, organizuan një vizitë monitoruese në bashkinë e Korçës.

Qëllimi i vizitës ishte vlerësimi i zbatimit të dy ligjeve të rëndësishme, konkretisht ligjit nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” dhe ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”, veçanërisht për kategorinë e pakicave kombëtare në këtë bashki.

Shprehën interes për t’ju bashkuar anëtarëve të komisionit dhe nënkomisionit në këtë vizitë monitoruese edhe deputetë të tjerë të Kuvendit, si: z. Vasil Strejovski, z.Ardit Konomi dhe z. Zef Shtjefni.

Vizita nisi me një takim në zyrat e bashkisë Korçë, me pjesëmarrjen e nënkryetares së bashkisë znj. Benila Themeli Tërova dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, që kanë në fokus të veprimtarisë së tyre mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare. Nënkryetarja e bashkisë prezantoi përpara pjesëmarrësve disa nga problematikat me të cilat përballet pakica kombëtare në këtë bashki.  

Numri i përafërt i banorëve që përfaqësojnë komunitetin rom dhe egjiptian në këtë bashki është 20,000 banorë. Nuk ka një statistikë, e cila të pasqyrojë numrin e saktë të banorëve të këtij komuniteti dhe kryerja e një censusi real mbetet ende një nga sfidat më të rëndësishme për këtë bashki. Znj. Tërova i njohu pjesëmarrësit me një projekt të rëndësishëm në partneritet me Delegacionin e Këshillit të Evropës lidhur me integrimin e romëve dhe egjiptianëve, projektin “Romacted” pjesë e të cilës është edhe bashkia Korçë. Ajo shtoi se prioritet për bashkinë janë fëmijët dhe për këtë qëllim janë marrë masa konkrete nga bashkia në mbështetje të mirëqenies dhe edukimit të fëmijëve si: ngritja e qendrave ditore, qendrave multi-funksionale, kampit veror, ri-konstruksioni i kopshteve dhe shkollave, ofrimi i një vakti ushqimor falas në një nga shkollat e bashkisë, etj. Një tjetër sfidë për këtë bashki mbetet strehimi i familjeve të këtij komuniteti. Nënkryetarja e bashkisë theksoi se në të gjitha programet sociale të strehimit, të parashikuara nga ligji janë programuar kuota të destinuara për pakicat rome dhe egjiptiane.

Pyetjeve të deputetëve lidhur me problematikat e komunitetit rom dhe egjiptian në këtë bashki iu përgjigjën edhe përfaqësues nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe organizatat e shoqërisë civile në këtë bashki. Një nga problemet e ngritura nga përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile është vështirësia për regjistrimin e fëmijëve të lindur në vendet Shengen, prindërit e të cilëve kanë shkelur rregullat e qëndrimit në këto vende, problematikë, e cila do të adresohet menjëherë nga Komisioni për Çështjet Ligjore në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në përmbyllje të takimit, bazuar në shqetësimet dhe problematikat e adresuara gjatë takimit, deputetët rekomanduan forcimin e bashkëpunimit të përfaqësuesve të bashkisë me organizatat e shoqërisë civile për të ndërmjetësuar dhe ndërgjegjësuar banorët e komunitetit rom dhe egjiptian për regjistrimin e tyre në Regjistrin e Gjendjes Civile si dhe aplikimin e të gjitha llojeve të programeve sociale të strehimit nga bashkia, të parashikuara nga ligji në fuqi, për strehimin e banorëve të këtij komuniteti, duke u dhënë mundësinë  për një integrim  më të shpejtë dhe jo lokalizimin e tyre në një lagje të vetme. Një tjetër rekomandim i rëndësishëm në kuadër të zbatimit të ligjit për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, është ngritja e zyrës së ndihmës ligjore parësore pranë kësaj bashkie.

Deputetët u ndalën edhe në Zyrën Rajonale të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ata u njohën me veprimtarinë e zyrës të fokusuar në zgjidhjen e problematikave për strehimin e banorëve të komunitetit rom dhe egjiptian dhe trajtimit të personave me aftësi të kufizuar, fushatën ndërgjegjësuese në bashkëpunim me median, për promovimin e luftës kundër diskriminimit, parandalimin e gjuhës së urrejtjes, homofobisë, racizmit, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Deputetët ngritën shqetësimin lidhur me mosplotësimin e kushteve të ambienteve të kësaj zyre për të pritur personat me aftësi të kufizuar.

Kryetari i komisionit, z. Manja u angazhua në emër të komisionit për t’i dhënë mbështetjen e nevojshme Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për ta bërë sa më shpejt të aksesueshme zyrën për personat me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, lidhur me nevojën e mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuar, z. Manja u angazhua për ta referuar problematikën në një seancë dëgjimore me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjen Sociale.