Takim monitorues në bashkinë Pustec lidhur me problematikat në këtë bashki

  • Postuar më, 18/02/2020

18 shkurt 2020

Komisioni për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe nënkomisionet për të Drejtat e Njeriut dhe  për Qeverisjen Vendore, me mbështetjen e Prezencës së OSBE në Tiranë, në kuadër të ushtrimit të funksionit të kontrollit parlamentar organizuan një vizitë monitoruese në bashkinë e Pustecit.

Shprehën interes për t’ju bashkuar anëtarëve të komisionit dhe nënkomisioneve në këtë vizitë monitoruese edhe deputetë të tjerë të Kuvendit, si: z. Vasil Strejovski, z. Ardit Konomi dhe z. Zef Shtjefni.

Deputetët u pritën nga kryetari i bashkisë, z. Pali Kolefski dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. Z. Kolefski duke falenderuar deputetët për praninë e tyre dhe në mënyrë të veçantë deputetin Vasil Sterjovski për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë bashkisë, bëri një  prezantim lidhur me bashkinë Pustec.

Ai u shpreh se problematikë për këtë bashki është mungesa e ujit të pijshëm, pasi vetëm 4 fshatra kanë ujësjellës dhe furnizimi me ujë bëhet me orar të pjesshëm. Sipas tij janë bërë përpjekje nga ana e bashkisë, qoftë nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve për ta zgjidhur nevojën për ujë të pijshëm, por pamjaftueshmëria në buxhetin e bashkisë nuk mbulon nevojat për investime. Kryetari i bashkisë kërkoi mbështetjen e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe nënkomisionit për Qeverisjen Vendore lidhur me rishikimin e buxhetit të kësaj bashkie, për të mundësuar zgjidhjen e nevojave thelbësore e për ta bërë Pustecin një atraksion të preferuar turistik.

Z. Kolefski u ndal më pas në prioritetet e bashkisë Pustec e më konkretisht: ndërtimi i rrugës me standardet e duhura nga rruga nacionale Korçë- Goricë në dy drejtime, pastrimi i liqenit, ndërhyrje në landscape dhe në shërbimet e nevojshme për plazhin, krijimin e pedonaleve, ndërtimi i katër moleve për varkat dhe motoskafët, ndërtimi i këndeve sportive dhe parkimit të makinave mbas fshatit Zaroshkë (Rallnik), furnizimi me ujë i fshatrave të bashkisë, sistemimi i ujërave të zeza (impiant), sistemimi i fshatit Zaroshkë, ndërtimi i një landfillli për mbeturinat urbane të zonës, rehabilitimi  i monumenteve të kulturës në zonën e Prespës, ndërtimi i një qendre për peshkatarët, ndërtimi i viewpoints në pikat më panoramike, krijimi i itinerareve turistike, muzeu kulturor,historik në qendër të fshatit Pustec, ndërtimi i një tregu lokal,  nxitja e zhvillimit ekonomik lokal dhe lidhja e bregut të liqenit me zonën urbane të Zaroshkës dhe Pustecit.

Në përfundim të takimit, në emër të komisionit, z. Ulsi Manja, duke shprehur konsideratat për bukurinë natyrore të këtij vendi, u angazhua për mbështetjen e komisionit dhe nënkomisionit që trajton çështjet vendore në zgjidhjen e nevojave të kësaj bashkie, veçanërisht duke adresuar në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe komisionin e përhershëm parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, të nevojës së shkollave në këtë bashki për tekste shkollore në gjuhën maqedonase.

Kryetari i bashkisë falenderoi edhe një herë deputetët për interesimin në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet bashkia Pustec dhe ftoi të gjithë pjesëmarrësit në Festivalin e Dimrit në Prespë në datën 22.02.2020, aktivitet i përvitshëm organizuar për të promovuar vlerat natyrore dhe kulturore të zonës.