Dita e gjuhës shqipe. Gjimnazistë të “Petro Nini Luarasit” vizitojnë Kryesinë e Kuvendit. “Gjuha e politikës duhet të lidhë ura, e jo të përdoret si mjet sulmi”

  • Postuar më, 21/02/2020

21 shkurt 2020


Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, gjimnazistë të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi” vizituan sot Kryesinë e Kuvendit. Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi dhe z. Ervin Bushati, deputet i Partisë Socialiste, pritën të rinjtë në mjediset e Kuvendit dhe mes tyre u zhvillua një bashkëbisedim për rëndësinë e përdorimit korrekt të gjuhës amtare në ligjërimin politik, në shkresat zyrtare, në komunikimin në seancën plenare, si edhe në komunikimin me mediat dhe publikun. Të rinjtë e shkollës “Petro Nini Luarasi”, në prezantimet e parapërgatitura prej tyre, bënë thirrje që gjuha shqipe të mirëpërdorej e të shërbente si lidhëse urash komunikimi e siguruese e zhvillimit, e jo si mjet sulmesh mes palëve. 

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është një ditë ceremoniale ndërkombëtare, e shpallur si e tillë nga UNESCO në vitin 1999, që kremtohet në datat 21 shkurt të çdo viti. Gjimnazistët e "Petro Nini Luarasi", në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë, kishin menduar këtë formë origjinale të kremtimit të saj.