Delegacioni nga Komisioni për Politikën e Jashtme nën kryesimin e znj. Kodheli vizitë dyditore në Mal të Zi

  • Postuar më, 24/02/2020

24 shkurt 2020

Me ftesë të Kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Disporën z. Andrija Nikolic në Parlamentin e Malit të Zi, nën kryesimin e znj. Mimi Kodheli, një delegacion nga Komisioni për Politikën e Jashtme është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Podgoricë. 

Gjatë ditës së parë së vizitës delegacioni shqiptar u prit nga Kryetari i Parlamentit z. Ivan Brajovic. Kryetari Brajovic ndërsa theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve nënvizoi rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve tregtare. Ai shprehu ngushëllimet e vendit të tij lidhur më tërmetin e 26 nëntorit të kaluar në Shqipëri e shprehu solidaritetin e popullit malazez me ngjarjen e ndodhur. 

Sa i përket integrimit në BE, zoti Brajovic tha se përgjigjia negative e vitit të shkuar është një gabim katastrofik, por shtoi se pret zhvillime pozitive nga Presidenca kroate sa i përket çështjes së zgjerimit. 

Delegacioni parlamentar nga Shqipëria zhvilloi takimin me komisionin homolog, pritës në këtë vizitë. Z. Nikolic shprehu kënaqësinë e tij për pranimin e ftesës dhe mundësinë që edhe delegacioni shqiptar të ndiejë të njëjtën mikpritje që ju ofrua gjatë vizitës së shkuar në Kuvendin e Shqipërisë. Duke vijuar ai u shpreh se marrëdhëniet bilaterale i shërbejnë klimës së mirë të rajonit, por ndërkohë janë një shembull për të gjithë Ballkanin. Diskutimet u ndalën mbi ligjin për përdorimin e simboleve zyrtare miratuar në Malin e Zi, por edhe atë të minoriteteve, të votuar përpara dy vitesh në Kuvendin e Shqipërisë.

Po ashtu parlamentarët patën mundësi të takojnë grupin e miqësisë Mal i Zi - Shqipëri udhëhequr nga z. Genci Nimanbegu, njëherazi Nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi. Theksi u vu mbi projektet e përbashkëta, sidomos atij në lumin e Bunës, që do ti vinte në ndihmë të gjithë rajonit. 

Nga ana e saj znj. Kodheli falenderoi për mikëpritjen palën malazeze, si dhe ndihmën e menjëhershme pas tërmetit. Ajo tha se ndërtimi i urave të bashkëpunimit i shërben vetëm të mirës së dy popujve tanë, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e faktorit shqiptar në Mal të Zi për të arritur rezultate edhe më të mira. Gjithashtu znj. Kodheli falenderoi për mbështetjen gjatë kërkesës për Presidencës së OSBE ashtu siç kërkoi votën për kandidaturën e Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombëve të Bashkuara.

Ditën e dytë të vizitës në Podgoricë delegacioni do të pritet në takim nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi.