Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton dy projektligje, miraton projekt-rezolutës për vlerësimin e punës së ERRU për vitin 2019

  • Postuar më, 09/03/2020

9 mars 2020

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në drejtimin e kryetarit, z. Niko Peleshi dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, nisi shqyrtimin e projektligjit "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 43/2015 "Për sektorin e energjisë", të ndryshuar". Në nisje të mbledhjes, komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me AREA “Albania Renewable Energy Association”, pjesë e grupeve të interesit që veprojnë në fushën e energjisë. Përfaqësuesja e kompanisë, znj. Anita Shulku shprehu sugjerimet e saj në lidhje me nene të caktuara të projektligjit. Ndërkohë i ftuar për të prezantuar projekt-ligjin ishte z.Ilir Bejtja,  zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili sqaroi përpara deputetëve të komisionit se ndryshimet e propozuara janë iniciuar si detyrim për realizimin e rekomandimeve të dhëna nga sekretariati i  Komunitetit të Energjisë. “Qëllimi i këtij projektligji është rishikimi i disa dispozitave të ligjit aktual, të cilat janë konsideruar nga Komuniteti i Energjisë si pengesa në realizimin e plotë të autonomisë së OST-së dhe të ndarjes së OSHEE-së”, u shpreh z. Bejtja.

Më tej rendi i ditës vijoi me  rishqyrtimin e  projektligjeve: "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10448, dt. 14.7.2011 "Për lejet e mjedisit", të ndryshuar"; dhe "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10431, dt. 9.6.2011 "Për mbrojtjen e mjedisit", të ndryshuar". Të ftuar ishin z.Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit, si dhe z.Edison Konomi, drejtues i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. 

Relatori i dy projektligjeve, deputeti Besnik Baraj gjatë prezantimit të amendimeve të propozuara prej tij theksoi se e mbështet në tërësi objektivin e ministrisë për të lehtësuar klimën e biznesit, por ndryshimet e kërkuara prej tij lidhen kryesisht me menaxhimin e mbetjeve dhe nevojën për pajisje me leje mjedisore të pikave të karburantit.   

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z.Blendi Klosi ka nënvizuar se qëllimi primar i këtyre nismave ligjore që synojnë heqjen e lejes mjedisore të tipit C, ka qenë lehtësimi i procedurave për biznesin, por dhe respektimit të direktivave të BE-së lidhur me lejet mjedisore. Për sa i përket debatit me pushtetin vendor lidhur me kompetencat për dhënien e lejeve të mjedisit të tipit C, ministri Klosi sqaroi kompetenca për dhënien e lejeve të mjedisit jepet vetëm nga një institucion, i cili ndjek politikat e mjedisit. 

Pika e fundit të rendit të ditës ishte shqyrtimi i projekt-rezolutës "Për vlerësimin e punës së institucionit të Entit Rregullator të Ujit, për vitin 2019". Në këtë projekt-rezolutë është vlerësuar fakti që ERRU ka miratuar rregulloren për “Procedurat e ankimit në Komisionin Kombëtar Rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura, për një të licencuar”, një rekomandim i lënë në mënyrë të përsëritur në dy rezolutat e fundit të Kuvendit të Shqipërisë. Më tej, projekt-rezoluta ka adresuar dhe disa rekomandime për vitin 2020.  

Pas diskutimeve dhe disa sugjerimeve të dhëna nga deputeti socialist Ilir Beqaj, projekt-rezoluta u miratua me shumicë votash. 



Share