Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Burgjeve”
- Postuar më, 09/03/2020
9 mars 2020
Në drejtimin e
kryetarit, z.Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike
dhe të Drejtat e Njeriut në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi nen
për nen projektligjin “Për Policinë e Burgjeve”. Relatore e projektligjit ishte
znj.Vasilika Hysi, ndërsa të ftuar për të dhënë sqarime lidhur me nismën
ligjore ishte zëvëndësministrja e Drejtësisë, znj. Fjoralba Caka, si dhe përfaqësues
nga Avokati i Popullit, misioni Euralius,
osbe,
Prokuroria e Përgjithshme, etj.
Znj.Hysi gjatë
prezantimit theksoi se: “projektligji është parë me kujdes në tre këndvështrime:
nga pikëpamja e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe
kryesisht të rregullave specifike që për fat janë të shumta në lidhje me stafet
e institucioneve të burgjeve; e dyta është marrë në konsideratë praktika ose
përvoja e Gjykatës së Strasburgut, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të
Njeriut që sa herë diskuton për shkelje
të nenit 3 të Konventës për Ndalimin e
Torturës e lidh shpesh me stafin, cilësinë e stafit dhe kapacitetet e
tij, pikërisht me ligjin “për policinë e burgjeve”; e treta janë marrë në
konsideratë edhe të gjitha raportet që janë adresuar Shqipërisë në vitet e fundit
dhe raporti më i fundit, është ai i Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës”.
Zëvendësministrja
e Drejtësisë, znj. Fjoralba Caka sqaroi se projektligji në fjalë është pjesë e “Paketës
Peritenciare” dhe ka për synim kryesor reformimin e sistemit. Ajo nënvizoi se nëpërmjet
ndryshimeve ligjore të propozuara synohen të arrihen përmirësime në trajtimin
financiar, krijimin e një stafi me kapacitete të mjaftueshme profesionale, përmirësimin e
procedurave të rekrutimit, të trajnimit dhe të promovimit në detyrë të
punonjësve të Policisë së Burgjeve, etj.
Pas diskutimeve, pyetjeve dhe sugjerimeve, komisioni miratoi nen për nen
projektligjin në fjalë.
Më pas rendi i
ditës së komisionit vijoi me shqyrtimin e projekt-rezolutës “Për vlerësimin e
veprimtarisë vjetore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen
e të Dhënave Personale për vitin 2019”. Komisioni ka vlerësuar angazhimin e
Komisionerit për realizimin plotësisht të të 12-të rekomandimeve të lëna nga
Kuvendi i Shqipërisë për vitin 2019, si dhe arritjet e shënuara nga ky
institucion për rritjen e transparencës nga ana e institucioneve publike. Në
projekt-rezolutë janë përcaktuar edhe rekomandimet për vitin 2020. Në përfundim
të diskutimeve projekt-rezoluta u votua dhe u miratua nga anëtarët e
komisionit.