Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrton Raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2019. Shpall vakancën për Këshillin Mbikëqyrës të BSH

  • Postuar më, 09/03/2020

9 mars 2020

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetares, znj.Milva Ekonomi ka shqyrtuar në cilësinë e komisionit përgjegjës raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2019. Relatore e raportit ishte znj. Senida Mesi dhe të ftuar për ta paraqitur atë ishin znj.Juliana Latifi, Kryetare e Komisionit të Konkurrencës, si dhe përfaqësues nga Autoriteti i Konkurrencës.  

 Gjatë prezantimit të punës së autoritetit përgjatë vitit 2019, znj. Latifi theksoi se puna është fokusuar në funksionimin e tregjeve në mënyrë të lirë, të hapur, ku pjesëmarrësit të respektojnë parimet e konkurrencës në dobi të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së konsumatorit.

Sipas saj Autoriteti i Konkurrencës përgjatë vitit 2019, bazuar në prioritetet dhe  problematikat e ndryshme, të sinjalizuara në media, në ankesa të qytetarëve dhe të bizneseve ka monitoruar dhe hetuar në vazhdimësi segmente të caktuara të tregut. “Më konkretisht gjatë vitit 2019 Autoriteti ka monitoruar dhe hetuar:  tregun e depozitimit dhe të devijimit të energjisë elektrike, tregun e sigurimeve, tregun e bankave, tregun e shërbimeve celulare, tregun e shërbimit stomatologjik, tregun e miellit, tregun e taksive në qytetin e Tiranës, etj.”, u shpreh znj.Latifi. Më tej ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2019, Autoriteti ka derdhur në buxhetin e shtetit shumën 12,583,318 lekë, e cila është derdhur si e ardhur nga përqendrimet, shifër kjo që përbën 17% të buxhetit të institucionit.

Relatorja e raportit, znj.Mesi ka theksuar se gjatë vitit 2019 veprimtaria e Autoritetit është konkretizuar me 93 veprime, gjë që tregon se është bërë kontroll i detajuar në shumë tregje, ku janë bërë 15 procedura monitorimi dhe 11 procedura hetimore. “Krahasuar me një vit më parë vihet re se është rritur ndjeshëm  numri i rekomandimeve dhënë institucioneve publike dhe kemi rënie të numrit të procedurave hetimore, në lidhje me abuzimin dhe pozitën dominuese të marrëveshjeve të ndaluara”, u shpreh znj.Mesi.

Më tej përfaqësuesit e institucionit u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me problematikat e hasura përgjatë vitit 2019, si dhe sfidave të vitit 2020. 

Në përfundim të mbledhjes Komisioni për Ekonominë dhe Financat në cilësinë e komisionit përgjegjës vendosi shpalljen e një vendi vakant për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.


Share