Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, seancë dëgjimore për raportin e punës së KQZ për vitin 2019

  • Postuar më, 10/03/2020

10 mars 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në cilësinë e komisionit përgjegjës zhvilloi një seancë dëgjimore për raportimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2019. Relator i raportit ishte deputeti socialist Bashkim Fino, ndërsa të ftuar për të dhënë sqarime ishin z.Klement Zgurri, kryetar i KQZ, si dhe përfaqësues të institucionit.  

Në nisje të prezantimit të punës të KQZ për vitin 2019, i cili përkoi me zgjedhjet lokale, z. Zgurri falënderoi Kuvendin e Shqipërisë për mbështetjen institucionale, duke shtuar më tej se situata politike e krijuar përgjatë vitit 2019 dhe situata parazgjedhore, ndikuan thelbësisht në performancën e KQZ-së dhe administratës zgjedhore.   

Më tej ai u ndal tek çështjet e administratës zgjedhore, financimit të partive politike, pakicave kombëtare, procesit të dekriminalizimit, etj.  Z. Zguri vlerësoi si pozitiv faktin që në zgjedhjet vendore raportuan mbi financimet e fushatës zgjedhore jo vetëm partitë politike, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie. “Kjo do të thotë më shumë transparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim. Kryefjala e veprimtarisë së KQZ në këtë drejtim ishte monitorimi dhe kontrolli. KQZ emëroi 34 auditues ligjorë, të cilët kryen monitorimin dhe auditimin e fondeve dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore”, u shpreh Zgurri. 

Relatori i raportit, deputeti Bashkim Fino, vlerësoi KQZ për punën e bërë përgjatë 2019 në dy çështje kryesore: procesin e ngritjes së KQV-së, që e cilësoi si sipar të depolitizimit të administratës zgjedhore, si dhe në përballimin e fluksit të punës për verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve për tu zgjedhur në pushtetin lokal dhe zëvendësimin e listave të deputetëve të opozitës. Më tej z.Fino tërhoqi vëmendjen për: “listën e gjatë të ‘partive fantazëm’ që rezultojnë rregullisht në statistikat e KQZ-së dhe për ‘fantazmat’ flet statistika e rregullt e hartuar dhe publikuar në vite nga KQZ. Edhe kësaj radhe 56 parti politike nuk arritën të kontaktoheshin nga ekspertët kontabël”.  

Kreu i KQZ-së u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me shpërndarjen e fondeve të buxhetit të shtetit për partitë politike gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019, si dhe çështje të tjera të administrimit zgjedhor.

Rendi i ditës ka vijuar me shqyrtimin e projekt-rezolutës për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të punës së KQZ.




Share