Konsultimi online i draftit të Planit Strategjik të Kuvendit

  • Postuar më, 18/03/2020

Qeveria Shqiptare në qershor të vitit 2019 ka nënshkruar me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe OSBE-në një marrëveshje për zhvillimin e projektit që financohet nga Qeveria Zvicerane e dhe që po zbatohet nga OSBE dhe Instituti Demokratik Kombëtar (NDI). Përfituesi kryesor i këtij projekti 4 vjeçar është Kuvendi i Shqipërisë si dhe qytetarët shqiptarë.
 
Po në qershor të vitit të shkuar në Kuvend ka filluar puna për hartimin e të parit Plan Strategjik për Kuvendin e Shqipërisë. Hartimi dhe miratimi i Planit Strategjik është një nga prioritetet e Kuvendit, adresuar në rezultatet kryesore të projektit “Për mbështetjen e Parlamentit dhe Edukimin Qytetar” (PACEP). 
Plani Strategjik do të jetë një dokument ku do të përcaktohen vizioni dhe misioni i Kuvendit, fushat prioritare, qëllimet dhe objektivat strategjikë që Kuvendi dhe administrata do të caktojnë për t’i arritur e për t’i bërë realitet. 
 
Grupi i Punës për Hartimin e Planit Strategjik,  ngritur me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm,  gjatë punës për përgatitjen e këtij dokumenti, ka patur në vijimësi mbështetje dhe ekspertizë vendase dhe ndërkombëtare nëpërmjet OSBE dhe NDI për të hartuar një dokument sa më të arrirë dhe që të pasqyrojë kërkesat reale të Kuvendit si dhe mënyrat për arritjen e tyre. 
Pjesë e rëndësishme e metodologjisë së punës që u ndoq për realizimin e procesit të hartimit të draftit të Planit Strategjik, ishin  konsultimet e brendshme (me administratën e Kuvendit, përfshirë edhe deputetët e stafin politik) si dhe konsultimet e jashtme (me aktorët e jashtëm që bashkëpunojnë ngushtë me Kuvendin, ish deputetë, organizata ndërkombëtare e vendase, si dhe media, etj.). Mendimet, opinionet, vlerësimet dhe sugjerimet e subjekteve të konsultimit të brendshëm dhe të jashtëm janë reflektuar e do të mbahen në konsideratë nga Grupi i Punës, me qëllim përmirësimin e draftit të Planit Strategjik.

Në kuadër të procesit të konsultimit të jashtëm, me qëllim respektimin e parimit të transparencës dhe për një Kuvend të hapur e sa më pranë qytetarit, Grupi i Punës ka vendosur publikimin online të draftit të Planit Strategjik në faqen zyrtare të Kuvendit, platforma “Konsultimi i Planit Strategjik”. Publikimi është bërë me qëllim realizimin e konsultimit online të këtij dokumenti, ku i jepet mundësia të gjithë publikut që të njihet me të dhe të mund të adresojë komente apo sugjerime konkrete që do të shërbejnë për përgatitjen e një Plani Strategjik për institucionin e Kuvendit. 


Share