Mesazh i Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, drejtuar qytetarëve shqiptarë

  • Postuar më, 24/03/2020

Të dashur qytetarë të Shqipërisë,
Motra dhe vëllezër,

Në këto ditë të vështira, kur të gjithë ne, si mbi një miliard njerëz në botë,  jemi mbyllur në shtëpi, për tu mbrojtuar nga korobavirusi Covid -19, ky armik i rrezikshëm që kërcënon njerëzimin, shpreh solidaritetin me të gjithë ju, për sakrificat dhe kostot që përballojmë  në  betejën për mbrojtjen e jetës.

Jeta njerëzore është e drejta e vetme supreme dhe në emër të jetës së secilit prej nesh,  fëmijëve, motrave, vëllezërve, prindërve, gjyshërve dhe gjithë të dashurve, le t’i kushtohemi të gjithë, me të gjitha liritë e detyrimet tona, në shërbim dhe në mbrojtje të jetës.

Sa më i madh të jetë përkushtimi, aq më e shkurtër do të jetë koha kur do të dalim e do të shpëtojmë nga ky rrezik global.

Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht masat e marra nga Qeveria dhe Kryeministri dhe vlerëson qëndrimet e Presidentit të Republikës, të institucioneve, partive politike, sipërmarrjes, shoqërisë civile e të medias që kontribojnë në këtë luftë.

Mbi të gjitha, shpreh vlerësimin dhe nderimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal për punën dhe përpjekjet titanike të mjekëve infeksionistë dhe  specialistëve të shëndetësisë për shpëtimin e jetëve njerëzore si edhe për kontributin e jashtëzakonshëm të punonjësve të policisë dhe të forcave të armatosura për zbatimin me rigorozitet të rregullave të imponuara nga kjo situatë lufte.

Le të zbatojmë të gjithë me disiplinën jetësore, individuale, familjare e komunitare maksimale kufizimet e pashmangshme që na detyron mbrojtja e jetës së secilit dhe e të tjerëve.

Në emër të këtij qëllimi te lartë, Kuvendi do të miratojë aktet normative dhe masat e marra nga Qeveria, puna për të cilat ka filluar.

Deputetët e Kuvendit, duke respektuar kufizimet dhe në pajtim me rregullat e vendosura, janë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe agjencitë shtetërore dhe ndjekin me vëmendje punën e tyre.

Në përshtatje me kushtet e reja të krijuara, komisionet parlamentare do të fillojne këtë javë shqyrtimin e projekt-akteve ligjore, duke punuar online.

Të gjitha shërbimet esenciale të Kuvendit janë në punë dhe kanë përgatitur infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e Kuvendit online, derisa të krijohen kushtet për funksionimin nomal.

Kuvendi i Shqipërisë ka qenë, është dhe do të jetë në lartësinë e funksioneve e detyrave të tij, në shërbim të qytetarëve.

Kryetari i Kuvendit

Gramoz Ruçi

Tiranë, më 24 mars 2020.