Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi, mesazh me rastin e ndarjes nga jeta të Manolis Glezos: Promete i pamposhur i lirisë dhe drejtësisë

  • Postuar më, 30/03/2020

Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi, ka sot një mesazh me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të njohur grek, ish deputetit Manolis Glezos. “Sot u shua një ndër emblemat e kulturës, simboli i antifashizmit dhe të majtës greke, Heroi i fundit i Luftës së Dytë Botërore, Manolis Glezos. Gjatë harkut të  rreth  një shekulli jetë, Glezos ka shënuar shumë kulme të kontruibutit të tij si  një luftëtar i lirisë, duke filluar me heqjen e flamurit nazist nga Akropoli në 30 maj të vitit 1941 dhe përfunduar me zgjedhjen  si eurodeputeti më i moshuar i Parlamentit Europian, në vitin  2014. Glezos ishte një Promete i pamposhtur, një frymëzim për të gjithë kombet në luftën për liri, barazi dhe drejtësi shoqërore. Glezos ishte një politikan i sinqertë dhe i lirë në qëndrimet e veta, i cili e konsideronte politikën një detyrë morale ndaj qytetarëve. Ne, shqiptarët, i detyrohemi Manolis Glezos për ndjenjat e dashurisë dhe respektit të thellë për Shqipërinë dhe shqiptarët.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi.


Share